Maqedoni

Bruksel, Nimic nis bisedimet me negociatorët për emrin

11.12.2017 18:06

Pas një pauze trevjeçare, ndërmjetësuesi i Kombeve të Bashkuara për kontestin me emrin midis Maqedonisë dhe Greqisë...

Pas një pauze trevjeçare, ndërmjetësuesi i Kombeve të Bashkuara për kontestin me emrin midis Maqedonisë dhe Greqisë, Metju Nimic, e filloi raundin e ri të bisedimeve me takime të ndara me përfaqësuesit e Greqisë dhe Maqedonisë, Ademantios Vasilakis dhe Vasko Naumovski. Nga OKB për Servisin Publik thonë se bëhet fjalë për një përpjekje të re për afrimin e pozicioneve mes të dyja palëve.
 
"Z. Nimic po takohet me përfaqësuesit e Greqisë dhe të Maqedonisë, në Bruksel, sot dhe nesër. Takimi është pjesë e përpjekjeve të OKB-së për të gjetur një zgjidhje të përbashkët për emrin i cili do të jetë i  pranueshëm nga të dyja palët. Ne do të japim vlerësim pas takimeve dhe nëse është e nevojshme do të dalim me një deklaratë mbi bisedimet pas përfundimit të tyre. Është e vështirë të thuhet se kur do të jetë takimi i radhës, ia lëmë atë ndërmjetësuesit”,- deklaroi zëvendësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Farhan Hague.
 
Informacionet nga Kombet e Bashkuara janë se Nimici nuk ka dalë me një propozim të ri, por ka folur për dinamikën dhe formatin e raundeve të ardhshme të bisedimeve, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për emrin sa më parë që të jetë e mundur.
 
Ndërmjetësi i ka dëgjuar qëndrimet e të dyja palëve, pas së cilës ai u ka ofruar përfaqësuesve, Vasilakis dhe Naumovski, të informojnë ministritë e punëve të jashtme në Athinë dhe Shkup. Nimic ka shprehur optimizëm nga klima e re për zgjidhjen e kontestit dhe beson se tani është një kohë e mirë për të gjetur një zgjidhje për Maqedoninë që t’i afrohet  anëtarësimit në BE dhe NATO.
 
Gjithashtu paralajmërohet të martën Nimic të ketë një takim të përbashkët me negociatorët, pas të cilit pritet të caktohet raundi i ardhshëm i bisedimeve.
 
GAZMEND KURTISHI