Analistët: Raporti i avokatit të popullit shqetësues
Politika, urgjentisht duhet të ndërmerr diçka në mënyrë që ta përmirësojë gjendjen në institucionet e vendit dhe mënyrën se si funksionojnë ato..........

Politika, urgjentisht duhet të ndërmerr diçka në mënyrë që ta përmirësojë gjendjen në institucionet e vendit dhe mënyrën se si funksionojnë ato.
Kështu vlerëson analisti politik, Ismet Ramadani, duke u referuar në raportin e Avokatit të Popullit, në të cilin diskriminimi në baza etnike dhe politike është paraqitur si element shqetësues për vendin.
Nga ana tjetër, Mersel Billali, vlerëson se statusi kushtetues i institucionit Avokati i Popullit, duhet të fuqizohet për ta përmirësuar gjendjen që është prezantuar në raport.
“Ajo që e dëgjuam nga avokati i popullit, disa institucione edhe nuk kanë dëshirë apo nuk kanë fare disponim që të bashkëpunojnë me Avokatin e Popullit. Ky mosbashkëpunim tregon atë që është realitet në Maqedoni, d.m.th. tentim për t’i fshehur gjërat. për të krijuar situata të tensionuara. Në raste të këtilla duhet urgjentisht politika të ndërmerr masa, të bëjë diçka më shumë, që të gjinden forma, që të relaksohen raportet ndëretnike dhe të kthehet besimi në institucionet relevante të Shtetit”, - deklaroi analisti politik, Ismet Ramadani.
“Mendoj se pozicioni kushtetues i institucionit Ombdusman, duhet të fuqizohet. Djepi i Ombdusmanit është Suedia, qëndrimet e Ombdusmanit në Suedi janë mbi të gjitha aspektet normative në Shtet dhe ato janë edhe politikisht edhe normativisht obligative, aq më tepër moralisht. Kurse te ne është vetëm një konstatim i gjendjes faktike. Në qoftë se institucionet kanë vullnet të mirë, e respektojnë, në anën tjetër mund edhe të injorojnë, siç edhe u konstatua. Shumëçka duhet të ndryshojë në statusin dhe pozicionin e atij institucioni”, theksoi analisti politik, Mersel Bilalli.
Në raportin vjetor të Avokatit të Popullit, të prezantuar ditë më parë para deputetëve, është nënvizuar se diskriminimi është prezent në shoqërinë tonë, veçanërisht diskriminimi në baza etnike dhe politike, ndërsa qytetarët akoma në mënyrë të pamjaftueshme i identifikojnë mënyrat dhe format e kësaj dukurie, si dhe institucionet dhe mekanizmat mbrojtëse. (Naim Ramadani, TVM2)
