Botë

Menhatën, shpërthim në një terminal autobusësh

11.12.2017 19:48

Një person ka aktivizuar një bombë të lidhur për trupin e tij në lagjen Menhatën të Nju Jorkut, duke plagosur veten dhe tre persona të tjerë...

Policia tha se shpërthimi ka ndodhur në një terminal autobusësh pranë sheshit Times Square. “Kjo ka qenë përpjekje për sulm terrorist”, tha kryetari i Nju Jorkut, Bill de Blassio. Edhe komisionari i Policisë, James O’Neill, tha se shpërthimi ka qenë përpjekje për sulm terrorist. Zyrtarët policorë e identifikuan të dyshuarin si Akayed Ullah, 27 vjeç.

Ullah, i cili është arrestuar në vendin e ngjarjes, jeton në lagjen Bruklin të Nju Jorkut dhe raportohet të jetë me prejardhje nga Bangladeshi. Zyrtarët thanë se shpërthimi me sa duket ka qenë i rastësishëm dhe se bomba ishte një mjet shpërthyes, i bërë në kushte shtëpie, me material të dobët. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha se presidenti, Donald Trump, është njoftuar për incidentin.