Maqedoni
Deputetët, kritika raportit të këshillit të prokurorëve
03.07.2014 18:17
Deputetët e kanë kritikuar sot raportin vjetor të Këshillit të Prokurorëve Publik...
Deputetët e kanë kritikuar sot raportin vjetor të Këshillit të Prokurorëve Publik, duke theksuar se në të nuk është bërë analizë, por janë dhënë vetëm të dhëna të cilat nuk janë shumë të rëndësishme.
Deputeti, Pavle Trajanov, është shprehur se Raporti është i thatë dhe nuk përmban asnjë analizë për situatat aktuale dhe nevojat rreth funksionimit të Këshillit dhe Prokurorive Publike. Trajanov vendosi theksin edhe te moskujdesi i Prokurorisë për prezumimin e pafajësisë dhe për paraburgimin.
“Më intereson nëse Këshilli i PP-së e analizon punën e Prokurorive në përgjithësi nga disa aspekte. E para, kemi në praktikë mosrespektim të prezumimit të pafajësisë, kjo do të thotë se në operacione të caktuara të Policisë, të Prokurorisë, të Gjykatës, publikohen xhirime nëpër media, puna e dytë është kohëzgjatja e paraburgimit, ku në vend që paraprakisht të mblidhen materialet me dëshmitë relevante, me të dhëna dhe informata, ato mblidhen pas paraburgimit, ndërsa paraburgimi është i rregulluar rreptësisht se kur mund të caktohet”, deklaroi deputeti, Pavle Trajanov.
Sipas deputetit, Pavle Trajanov, punët e prokurorëve publik janë tërësisht jotransparente dhe për këtë duhet të zhvillohet debat.
Gjatë shpalosjes së raportit, kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publik, Konstandin Kizov, u shpreh se do të kërkojnë ndryshime të Ligjit për Këshillin e Prokurorëve Publik.
“Këshilli i Prokurorëve Publik, do të kërkojë të kryhet ndryshimi në Ligjin për Prokurori Publike, me qëllim që Këshillit t’i jepen më tepër kompetenca në aspekt të qasjes ndaj ankesave dhe propozimeve dhe në udhëheqjen procedurës disiplinore, për shkak se me Ligjin e tanishëm nuk ka asnjë lloj kompetence edhe pse në Ligjin për Këshillin e Prokurorëve Publik qëndron se të gjithë prokurorët publik janë përgjegjës para Këshillit”, theksoi kryetari i prokurorëve publik, Konstandin Kizov.
Sa u përket numrit të prokurorë dhe përfaqësisë në baza etnike, Kizov tha se rreth 80 për qind janë maqedonas, 16 shqiptarë dhe pjesa tjetër u përket bashkësive tjera etnike, ku romët ishin të përfaqësuar me 0 për qind.
MEFAIL ISMAILI
