Bruksel, Nimic rinis bisedimet për emrin

12.12.2017 08:29

Përfaqësuesi i posaçëm i KB-së për kontestin me emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë....

Pas tre vitesh nga takimi i fundit, ndërmjetësi i OKB-së për emrin Metju Nimic sod në Bruksel rinis bisedimet me negociatorët e Maqedonisë dhe Greqisë.

Zyrtarisht është njoftuar se Nimic nuk vjen me propozim të ri, por televizioni grek Star ka njoftuar se "Maqedonia e Re" është propozimi për të cilin do të bisedohet në Bruksel.

Në materialin e publikuar në lajmet qendrore të televizionit, thuhet se nëse Shkupi dakordohet me këtë propozim, do të hapet rruga për zgjidhjen e çështjes së emrit në gjysmën e parë të vitit 2018, siç paralajmëruan edhe kryeministri Aleksis Cipras dhe shefi i diplomacisë, Nikos Koxias.

"Star" thekson se propozimi fillestar grek ka qenë "Maqedonia e Vardarit", por tani ka ardhur deri te propozimi "Maqedonia e Re", siç ishte në vitin 1992 në pakon e ashtuquajtur "Pineiro", që atëherë ishte refuzuar. Emri me përcaktim gjeografik si "Maqedonia Veriore" nuk është i pranueshëm për palën greke, sepse, siç ceket, nuk do ta parandalonte irredentizmin e Shkupit dhe implikon ekzistimin edhe të Maqedonisë Jugore, që nuk është e pranueshme edhe për Bullgarinë. Më pas përkujtohet deklarata e Ciprasit për "Star" e dhënë pas marrjes së pushtetit, ku thotë se Greqia ka gabuar që para 20 viteve nuk e ka pranuar pakon "Pineiro" e cila parashihte emër të përbërë me përcaktim gjeografik, që sipas tij, do të ishte zgjidhje e mirë për kontestin.

Takimet e ndara të Nimic me përfaqësuesit e të dy vendeve, Ademantios Vasilakis dhe Vasko Naumovski mbrëmë nuk është mbajtur për shkak të kushteve jo të mira të motit në aeroportin në Bruksel dhe pamundësisë së ndërmjetësit për të arritur me kohë.

Raundi i ri i bisedimeve për emrin është planifikuar për sot, pas çka Nimic do të mbajë edhe konferencë për shtyp në ndërtesën e Info Qendrës rajonale për Evropë Perëndimore të OKB-së. Raundi i fundit formal i negociatave të ndërmjetësit të KB-së me përfaqësuesit e të dy vendeve ishte mbajtur në Nju-Jork në nëntor të vitit 2014.