Zaev për vizitë në Prishtinë, kryeministri i parë i Maqedonisë që e viziton Kosovën

12.12.2017 13:18

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, po qëndron për vizitë zyrtare njëditore në Prishtinë.....

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, po qëndron për vizitë zyrtare njëditore në Prishtinë, duke u bërë kështu kryeministri i parë i Maqedonisë që e viziton Republikën e Kosovës.

Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i pyetur nga gazetarët lidhur me dënimin e grupit në rastin “Kumanova”, Zaev tha se kjo është çështje e ndjeshme për të cilën duhet të mësohet e vërteta, prandaj është i nevojshëm hetim ndërkombëtar.

“Do të ketë hetim ndërkombëtar që të arrihet e vërteta”,- tha ai. Ndërsa Haradinaj për këtë çështje tha se “nuk ka asgjë për të shtuar”. Zaev po ashtu ka folur edhe mundësitë e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Ai nuk premtoi mbështetje në këtë drejtim, duke shtuar se “Kosova duhet të dijë që Maqedonia e mbështet Kosovën në të gjitha këto marrëdhënie, por ne e kemi shtet fqinjë edhe Serbinë”,- tha Zaev.

Më pas ai tha se në takim është bërë fjalë edhe për detyrimet dhe projektet e përbashkëta mes dy shteteve, përfshirë rrugën magjistrale Prishtinë - Shkup dhe pikën kufitare në Bellanoc”.

Maqedonia me Kosovën kanë 19 marrëveshje dypalëshe dhe 16 dokumente, ndërsa e presin edhe 20 marrëveshje të tjera. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian dhe për këtë jemi zotuar që do të ndihmojmë njëri - tjetrin, tha Zaev.

Shkëmbimi tregtar arrin në 160 milionë euro, ndërsa synohet të arrihet në 200 milionë, tha kryeministri i Maqedonisë. Zaev po ashtu ka ftuar kryeministrin Haradinaj që vitin e ardhshëm të takohen në një mbledhje të përbashkët të dy qeverive. Nga ana tjetër, kryeministri Haradinaj e quajti vizitën e Zaevit si të rëndësishme, ngase dy shtetet i lidh vizioni euroatlantik.

“Sot kemi marrë shumë obligime që do të finalizohen në takimet e radhës mes dy qeverive në të mirë të qytetarëve të të dyja shteteve”.

Gjatë vizitës në Prishtinë, Zaev do të takohet edhe presidentin, Hashim Thaçi, e kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.