Mbi 43 mld denarë buxheti i MPPS, Carovska: Fokus përkujdesjes së fëmijëve
Buxheti i Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale për vitin 2018 peshon 43 miliardë e 376 milionë denarë.....

Buxheti i Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale për vitin 2018 peshon 43 miliardë e 376 milionë denarë, buxheti më i lartë krahasuar me ministritë e tjera, njofton “TVM2”.
Kjo me qëllim të mbështetjes së kategorive të rënda sociale, uljes së papunësisë dhe pagesës me kohë të pensioneve. Ministrja për Punë dhe Çolitikë Sociale, Milla Carovska, thotë se fokusi i veçantë me këtë buxhet do t’i jepet kujdesit të fëmijëve.
“Duke pasur parasysh se kemi konstatuar gjendjen katastrofale në përkujdesjen e fëmijëve në Maqedoni, në vitin 2018 jemi fokusuar në përmirësimin e kujdesit të fëmijëve, në përmirësimin e kapaciteteve të hapësirave, por edhe të kuadrove. Mu për atë kemi paraparë 1 miliard e 578 milionë denarë, këtu përfshihen edhe bllok dotacionet për komunat. Me këtë janë paraparë 200 punësime të reja si dhe rritje të rrogave për punonjësit nëpër çerdhe”,- deklaroi ministrja për Punë dhe Politikë Sociale, Milla Carovska.
Për ndërtimin dhe pajisjen e kopshteve të fëmijëve dhe objekteve për mbrojtje sociale janë planifikuar 58 milionë denarë. 8 miliardë denarë janë paraparë për transfere sociale për mbi 120 mijë shfrytëzues të ndihmës sociale, 287 milion e 500 mijë denarë janë paraparë për masat për punësim.
Një pjesë e madhe e buxhetit, apo 29 miliardë e 158 milionë denarë, janë për stabilitet, pagesë të rregullt dhe harmonizim të pensioneve.
Ministrja Carovska potencoi edhe se janë shkurtuar të gjitha shpenzimet joracionale dhe janë pakësuar, madje në disa sektorë janë hequr kompensimet për anëtarët e komisioneve apo grupeve të punës. (Ersan Pajaziti, TVM2)
