Shkupi - qytet i biçikletave, Shilegov: Zgjidhje për kaosin në komunikacion
Kthimi i Shkupit në një qytet të biçikletave, është një ndër projektet prioritare.....

Kthimi i Shkupit në një qytet të biçikletave, është një ndër projektet prioritare për drejtuesit e rinj të kryeqendrës dhe shihet prej tyre si një ndër zgjidhjet për kaosin në komunikacion dhe uljen e emisionit të gazrave të dëmshëm. Kreu i qytetit, Petre Shilegov, thotë se ndërtimi i rrugëve për biçikleta e këmbësorë do t’u frymëzojnë qytetarëve që t’u largohen vozitjes së makinave.
“Qyteti i Shkupit parasheh rrugica adekuate për biçikleta dhe këmbësorë me qëllim që qytetarëve t’u mundësohet mënyrë alternative për lëvizje në kaosin në komunikacion që krijohet çdo ditë”,- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
KAOSI NË KOMUNIKACIONIN E ÇAIRIT, SHILEGOV: PO PUNOJMË PËR ZGJIDHJE AFATGJATE
Rrugë për biçikleta parashikohen të ndërtohen edhe në Çair, e kjo do të ndikonte edhe në zgjidhjen e kaosit në pikën më të nxehtë të Çairit, tek qendra Çairçanasja. Shilegov gjithsesi potencon se po punohet edhe me MPB-në për të zgjidhur problemet e parkimeve pa leje në këtë zonë.
“Për momentin jemi në bisedime me MPB-në që të lirohen nga veturat këto vende ku është lejuar lëvizja. Në pranverë planifikojmë që të fillojmë ndërtimin e rrugicave për biçikleta që vitin e ardhshëm të mos mbetet pjesë e qytetit që nuk do të ketë rrugica për biçikleta”,- theksoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
NDOTJA E AJRIT, PROBLEM MBARËBOTËROR. TIRANA, SYTË NGA ENERGJIA ALTERNATIVE
Masa konkrete për uljen e ndotjes së ajrit dhe zbutjen e kaosit në trafik, parashohin edhe bashkitë e Tiranës, pjesëmarrëse në konferencën rajonale për efikasitet energjik, që po mbahet në Shkup. Energjia diellore është një nga zgjidhjet për ajër të pastër.
“Shqipëria ka mundësi të ndryshme për gjenerimin e energjisë dhe ne duhet të libojmë në Qeverinë qendrore për përdorimin e mënyrave të duhura për prodhimin e energjisë. Në Shqipëri sot energjia prodhohet nga sistemi hidrik dhe ne kemi mundësi të prodhojmë dhe energji solare, e cila është energji e pastër që mund të përdoret për autobusë elektrikë dhe mjete tjera elektrike”,- u shpreh Hajredin Serjanaj nga Shoqata e Bashkive në Tiranë.
Nga konferenca rajonale priten rezultate konkrete të cilat do implementohen në praktikë e që kanë për qëllim uljen e ndotjes së ajrit në qytet. (Flutura Rahimi, TVM2)
