Botë

Shqipëri, reformat në drejtësi. Lu: politikanët i ka kapur frika

12.12.2017 15:48

Teksa Tirana zyrtare ende është në mesin e zënkës për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, ka ndërhyrë edhe një herë me deklaratat e tij ambasadori amerikan, Donald Lu...

Qeveria dhe opozita duhet të punojnë së bashku për të gjetur një zëvendësues të prokurorit të përkohshëm të përgjithshëm dhe të dyja palët duhet t’i japin fund epokës kur prokurori i përgjithshëm mbron politikanët e korruptuar, deklaron Lu.
 
“Shqiptarët presin me padurim për drejtësi dhe politikanët kanë frikë. Disa politikanë kanë thënë se: reforma në drejtësi ka vdekur. Ajo nuk ka vdekur, por mundësia që politikanët e rëndësishëm të kontrollojnë dhe manipulojnë sistemin e drejtësisë është pothuajse e vdekur. Sistemi i vjetër i drejtësisë i mbronte njerëzit e shtetit me pasuri përmes korrupsionit dhe ndikimit politik. Sistemi i ri nuk mund të ketë një prokuror të përgjithshëm që nuk ndjek askënd penalisht. Ky vend nuk mund të hyjë në BE nëse vazhdon të ketë shkallën më të ulët të ndjekjes penale të krimeve të rënda në Europë. I kemi bërë thirrje qeverisë dhe opozitës që të punojnë së bashku për të gjetur një zëvendësues të prokurorit të përkohshëm të prokurorit të përgjithshëm të cilit i mbaroi mandati 5-vjeçar në 7 dhjetor. Të dyja palët duhet t’i japin fund epokës kur prokurori i përgjithshëm mbron politikanët e korruptuar”,- deklaroi ambasadori i ShBA-ve në Shqipëri, Donald Lu.