Maqedoni

Plomp: Çështja e emrit do të zgjidhet shpejt. Të drejta e njeriut, Plomp: Duhet të garantohen nga institucionet

12.12.2017 16:09

Faktori ndërkombëtar syhapur ndjek bisedimet në Bruksel mes Maqedonisë dhe Greqisë me ndërmjetësimin e negociatorit, Mejtu Nimic...

Faktori ndërkombëtar syhapur ndjek bisedimet në Bruksel mes Maqedonisë dhe Greqisë me ndërmjetësimin e negociatorit, Mejtu Nimic, dhe shpreson se shumë shpejt të dyja palët do të gjejnë zgjidhje për problemin në fjalë, tha ambasadori holandez në Shkup, Villem Vauter Plomp, në ligjëratën kushtuar “Gjendjes së të drejtave të njeriut” në Fakultetin e Sigurisë.
 
“E drejtë është të thuhet se askush nuk pret se çështja emrit  do të zgjidhet nesër, por me rëndësi është të thuhet se muajin e kaluar  kishte nisma pozitive dhe se gjërat shkojnë në drejtim pozitiv. Qeveria holandeze shpreson se Maqedonia dhe Greqia do të gjejnë zgjidhje të problemit”,- deklaroi ambasadori i Holandes në Shkup, Villem Vauter Plomp.
 
Plomp para studentëve theksoi nevojën për të pasur gjyqësi dhe institucione të pavarura dhe sundim të së drejtës të cilat janë garanci se të drejtat e njeriut do të respektohen në tërësi dhe njëherit vlerësoi lart përmirësimin e marrëdhënieve me vendet fqinje.
 
“Sundimi i së drejtës është esencial për realizimin e të drejtave të njeriut. Qeveria duhet t’i vendos institucionet të cilat garantojnë respektimin e të drejtave të njeriut, ndërsa ne do t’i mbetemi besnik qasjes sonë dhe si vend do të hapërojmë bashkë me ju”,- u shpreh ambasadori i Holandës në Shkup, Villem Vauter Plomp.
 
Holanda më shumë se dy dekada përkrah Maqedoninë në sferën e avancimit të të drejtave të njeriut dhe investon në transparencën dhe përmirësimin e gjendjes së mediave në vend. Plomp vlerësoi se gjatë këtij viti është avancuar liria e shprehjes.
 
REXHEP QAMILI