Maqedoni
Çështja e emrit, Nimic: Nuk ka emër magjik, por palët po dëgjohen
12.12.2017 16:28
Çështja e emrit duhet të zgjidhet vitin e ardhshëm...

Përfundimisht është përmirësuar klima për zgjidhjen e kontestit të emrit si te pala greke ashtu edhe te ajo maqedonase. Kështu ka deklaruar në Bruksel ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara, Methju Nimic, pas takimit me negociatorët në çështjen e emrit nga Maqedonia dhe Greqia, Vasko Naumovski dhe Adamantios Vasilalis.
Ai ka konfirmuar se takimi i palëve pas tre vitesh pauzë nuk ka përfunduar me ndonjë propozim të ri dhe se nuk pritet ndonjë emër magjik, por ka vënë në pah qëndrimin më pozitiv të tyre për t’i dhënë fund kontestit bilateral fqinjësor.
“Atmosfera dhe dialogu mes qeverive zhvillohet pa irritime serioze. Mendoj se atmosfera është e përkryer. Na duhet progres për zgjidhjen e kontestit. Them se të dyja palët mirë e dëgjojnë njëra-tjetrën. Kanë dialog të mirë dhe i dëgjova qëndrimet e tyre konstruktive. Për atë e ndjej se ka fleksibilitet të mjaftueshëm për gjetjen e një vendimi të pranueshëm për të dyja palët”- deklaroi ndërmjetësuesi i OKB-së për çështjen e emrit, Methju Nimic.
Edhe përkundër faktit se palët kontestuese ballafaqohen me shumë sfida, do të mundohemi t’i zgjedhim në periudhën e ardhshme, me çka do t’i intensifikojmë negociatat në muajin janar, shkurt dhe mars, ka deklaruar ndërmjetësi Nimic.
Fakti për vullnetin politik të zgjidhjes së këtij kontesti shumëvjeçar shihet në agjendat politike të qeverive të Shkupit dhe Athinës, të cilat çështjen e emrit e kanë vendosur si prioritet, është shprehur Nimic.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
