Botë

Shqipëria dhe Italia, memorandum në fushën e drejtësisë

12.12.2017 17:18

Shqipëria dhe Italia kanë nënshkruar një memorandum në fushën e drejtësisë, e cila parashikohet të sjellë rritje të bashkëpunimit sa i takon aspektit legjislativ dhe atij penal mes dy vendeve...

Ministri italian, Andrea Orlando, theksoi se Italia vlerëson progresin e bërë nga Shqipëria në rrugën e forcimit të shtetit ligjor përmes nisjes nga zbatimi i reformës në drejtësi, ndërsa theksoi se ekzistojnë kushtet për çeljen e negociatave në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018.
 
"Italia mbështet integrimin e Shqipërisë. Memorandumi, që do nënshkruajmë sot nuk ka të bëjë vetëm me dy vendet tona, por ka të bëjë edhe me integrimin e Shqipërisë drejt BE dhe vëmendjen që ka Italia për vendet e Ballkanit. Ne duam të fillojmë menjëherë implementimin e marrëveshjes dhe ekzekutimin e dënimeve penale. Brenda më pak se një muaji kemi bërë një punë të jashtëzakonshme bashkëpunimi",- u shpreh Orlando.
 
Nga ana e saj, ministrja Gjonaj theksoi vullnetin e palëkundur të Qeverisë shqiptare për të çuar përpara reformën në drejtësi.
 
Ministri italian i Drejtësisë, Andrea Orlando, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologen, Etilda Gjonaj, u pyet edhe për dosjen “Habilaj”, si dhe hetimin ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit, por nuk ka dhënë asnjë koment.
 
Memorandumi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë parashikon ndër të tjera ndihmë të ndërsjellë të gjyqësorit për rastet e ekstradimeve.
 
LULJETA NDOKA