Maqedoni
Rasti “Trust”, “Transmet” nuk lejon ekspertizë të makinerive
12.12.2017 17:31
Më shumë se katër orë zgjati deklarimi në gjykatë i ekspertit të angazhuar me kërkesë të PPS-së në rastin “Trust”....

Eksperti, Dejan Grkovski, kishte si detyrë të kontrollojë e të zbulojë nëse makineritë për shkërrmoqjen e gurit dhe të qymyrgurit, që janë pronësi të firmës “Transmet”, kanë ose jo kapacitetin e kërkuar në tenderin e shpallur nga ELEM dhe nëse të njëjtat janë makineri mobile apo statike.
Në bazë të ekspertizës, makineritë që posedon firma “Transmet” kanë kapacitet të shkërrmoqin 250 deri më 300 ton gurë në orë, ndërkohë që në tenderin e shpallur nga ELEM kërkohet makineri me kapacitet minimal prej 350 tonëve në orë. Por, shumë pyetje të parashtruara mbetën pa përgjigje në këtë seancë, pasi firma “Transmet”, edhe përkundër kërkesës, nuk lejoi ekspertizën mbi makineritë që duhej të kryej nga eksperti Grkovski, e kjo ka detyruar këtë të fundit që të bëjë një ekspertizë të bazuar vetëm në dokumentacionin e parashtruar.
PPS gjatë seancës reagoi se avokatët mbrojtës parashtrojnë pyetje që nuk kanë të bëjnë me rastin vetëm e vetëm të stërzgjatet procedura. I dyshuari i parë për rastin “Trust” është biznesmeni, Sead Koçan, si edhe dy persona fizikë dhe tre juridikë, në mesin e të cilëve edhe drejtuesit e kompanive “Transmet”, “Sileks” dhe “Vato” ShPKNJP. Sipas akuzës, të dyshuarit me dokumente të falsifikuara kanë kurdisur tenderë në ELEM në vlerë prej 17 milionë euro.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
