Maqedoni
Më shumë se katër orë zgjati deklarimi në gjykatë i ekspertit të angazhuar me kërkesë të PPS-së në rastin “Trust”.
12.12.2017 17:46
Me iniciativën e Forumit Rinor dhe kryesisë së Bashkësisë vendore të fshatit Orizare të komunës së Likovës...

Me iniciativën e Forumit Rinor dhe kryesisë së Bashkësisë vendore të fshatit Orizare të komunës së Likovës, sot u vu gurthemeli i objektit të ri të paraleleve të klasave të para pranë shkollës fillore “Faik Konica”. Bëhet fjalë për projekt të nisur me vetëfinancim nga banorët dhe mërgimtarët, por e mbështetur edhe nga Shoqata humanitare LDS – Maqedoni, e udhëhequr nga zonja Lien dhe Robert Olson nga ShBA.
“Dëshirë e kamotshme, e cila nuk hasi në përkrahje nga institucionet e vendit në të kaluarën, andaj, duke pasur parasysh nevojën e një objekti të tillë që po e fillojmë sot, këshilli iniciativ, i udhëhequr nga z. Aliu, morëm përsipër ndërtimin e një objekti të ri edhe atë me vetëfinancim. Iniciativa u përkrah nga të gjithë bashkëfshatarët dhe dashamirët tanë dhe për një kohë të shkurtër arritëm të grumbullojmë mëse 50 për qind të mjeteve të nevojshme për realizimin e këtij projekti”,- deklaroi anëtari i Këshillit për ndërtimin e objektit, Husamedin Nuhiu.
Ndihmesë mjaft të madhe ka dhënë edhe Shoqata humanitare amerikane LDC - MKD, duke e mbështetur këtë projekt me 17.500 euro.
“Ne e vlerësojmë arsimimin, por po e shoh se edhe ju po e vlerësoni. Ne jemi shumë të lumtur që jemi të përfshirë në këtë projekt. Përgëzime për një projekt të këtillë që do të ndikojë në edukimin e fëmijëve tuaj”,- tha Robert Olson.
Objekti me dy mësonjtore për nxënësit e klasës së parë dhe zyra tjera të nevojshme për mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor pritet të jetë i gatshëm në fillimin e vitit të ardhshëm shkollor, respektivisht më 1 shtator të vitit të ardhshëm.
NEXHAT AQIFI
