Maqedoni

Zaev viziton Kosovën. Zaev: Dy vende pa konteste dhe aspirata të njëjta. Haradinaj: Kemi marrë shumë obligime me interes

12.12.2017 18:03

Kryeministri, Zoran Zaev, është pritur me ceremoni shtetërore nga kryeministri i Republikës së Kosovës...

Kryeministri, Zoran Zaev, është pritur me ceremoni shtetërore nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, duke u bërë kështu kryeministri i parë i Maqedonisë që viziton Prishtinën zyrtare.
 
Dy kryeministrat kanë konstatuar se dy vendet nuk kanë asnjë çështje të hapur dypalëshe, ndërsa rasti i Kumanovës nuk guxon të jetë pengesë për avancimin e bashkëpunimit mes dy vendeve fqinje. Sipas kryeministrit, Zoran Zaev, dy vendet kanë interes të madh për të zgjeruar bashkëpunimin dypalësh dhe të ofrojnë mbështetje të ndërsjellë në procesin eurointegrues.
 
“Unë jam kryeministri i parë i Maqedonisë që vizitoj Kosovën dhe jam i lumtur për këtë. Bëhet fjalë për dy vende që kanë aspirata të njëjta dhe ato janë anëtarësim i plotë në NATO dhe në BE dhe pretuam mbështetje të ndërsjellë në proceset tona eurointegruese. Të ndihmojmë njëri-tjetrin pasi shohim se e ardhmja e Ballkanit perëndimor është në BE”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Zaev premtoi mbështetje edhe për anëtarësimin e Kosovës në UNESKO, në kuadër të dialogut Prishtinë – Beograd. Edhe kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj, i vlerësoi si të mira marrëdhëniet bilaterale si në aspektin ekonomik po ashtu edhe në atë politik. Sipas tij, Republika e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë janë fqinjë, që i lidhë jeta dhe fati, ndërsa perspektiva euroatlantike i bashkon.
 
“Me këtë vizitë të sotme kemi mundur që të ndihmojmë që marrëdhëniet tona mes Kosovës dhe Maqedonisë të përparojnë. Ato janë të mira, por të përparojnë. Sot kemi marrë plot obligime, besoj do të kemi rastin që t’i finalizojmë në të ardhmen edhe në takime të përbashkëta të të dy qeverive”,- theksoi kryeministri i R. së Kosovës, Ramush Haradinaj.
 
Dy homologët kanë rënë dakord për rëndësinë e zhvillimit ekonomik dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës, dhe për projektet konkrete si autostrada që lidh Kosovën me Maqedoninë, pikëkalimet kufitare të cilat do të lehtësonin lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave.
 
Aktualisht mes Shkupit dhe Prishtinës janë nënshkruar 19 marrëveshje dypalëshe dhe 16 dokumente të ndryshme, ndërkaq pritet firmosja e 20 marrëveshjeve të tjera. Zaev ka ftuar homolugun kosovar që në fillim të vitit të ardhshëm ta vizitojë Maqedoninë dhe të mbajnë mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive.
 
Gjatë vizitës së tij zyrtare në Prishtinë, Zaev është pritur edhe nga kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
 
SHPËTIM NUREDINI