Maqedoni
Reagimi i Athinës pas deklaratës së Milloshoskit
04.07.2014 16:52
Athina zyrtare i vlerëson si tendencioze, populiste dhe ekstremiste reagimet e autoriteteve të Shkupit zyrtar...

Athina zyrtare i vlerëson si tendencioze, populiste dhe ekstremiste reagimet e autoriteteve të Shkupit zyrtar, të dhëna një ditë pas deklaratës së dhënë të kryeministrit grek, Samaras, për mosekzistimin e gjuhës maqedonase.
Zëdhënësja e Qeverisë greke, Sofija Vulltepsi, vlerëson se komentet e këtilla populiste nga ana e autoritete të Shkupit, e që kësaj radhe vijnë edhe nga ana e nënkryetarit të Parlamentit të Maqedonisë dhe njëherit ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Antonio Milloshovski, janë arsyet që pse Shkupi ka kaq kohë që ka mbetur jashtë dyerve të NATO-s dhe BE-së.
“Një gjuhë me prejardhje dhe konstruksion slloven, asnjëherë nuk mund të definohet si “maqedonase” dhe prononcimet e lidhura me deklaratën e kryeministrit Samaras, janë të përcjella edhe me sfida të tjera shtesë”, deklaroi zëdhënësja e Qeverisë greke, Sofija Vulltepsi.
Zëdhënësja e Qeverisë greke, në prononcimin e saj, më tej thotë se Milloshovski jo vetëm që ka insistuar të jetë bindës në ekzistimin e gjuhës maqedonase, por ka arritur deri në atë ekstrem, që i ka bërë thirrje kryeministrit, Samaras, të vizitojë disa nga qytetet greke, Lerin, Voden dhe Kostur, për tu bindur që në Greqi është ruajtur akoma dhe flitet gjuha maqedonase nga pakica maqedonase, e cila jeton atje.
“Kjo do të thotë se sipas Milloshovskit, përveç “gjuhës maqedonase”, ka edhe “pakicë maqedonase”. Dhe kjo vendin e tij e vendos në një pozitë akoma më të vështirë”, tha Vulltepsi.
Reagimet e Athinës zyrtare, erdhën menjëherë pas komenteve nga autoritetet maqedonase të bëra një ditë pas deklaratës së kryeministrit grek, Antonis Samaras, në ditën e fundit të kryesimit grek me BE-në, ku në një konferencë përmbyllëse në PE, në Strasburg, tha se gjuha maqedonase nuk ekziston, që atë gjuhë e kanë shpikur komunistët dhe Maqedonia çon një politikë me qëndrime ekstremiste dhe mungesë dialogu.
Ditë më parë, nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshovski, për një media maqedonase ka thënë se deklarata e Samaras i ngjan një politikani të shekullit të XIX , i cili nuk ka kapacitet demokratik t’i pranojë dallimet, të drejtat e pakicave, cilësitë gjuhësore të fqinjëve.
Dhe kjo sipas Milloshovskit, nënkupton se Samaras jo vetëm që nuk tregon gatishmëri për zgjidhje të kontestit, por përmes veprave të tij, kontribuon që ky kontest të mos ketë zgjidhje asnjëherë.
MERITA GASHI
