Maqedoni
Plotësimi i vendeve në qeveri, Zaev: Do të informoheni, kur të kemi zgjidhje; Sela: Jo ndryshim vetëm të ministrit të ASh-së
13.12.2017 14:35
Ende nuk dihet nëse është mbajtur takim mes partnerëve të koalicionit qeverisës për plotësimin e vendeve të mbetura bosh në ekzekutiv...

Kryeministri Zaev thotë vetëm se, sapo të ketë një zgjidhje për anëtarët e rinj, do të njoftojë opinionin, por nuk tregoi nëse tashmë është biseduar për këtë çështje.
“Sapo të marrim vendim për ministrin e ri të shëndetësisë dhe ministrin pa portofol për investime të huaja dhe për zëvendësit, menjëherë do të kumtojmë vendimin opinionit”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Por, lideri i Aleancës për shqiptarët, Zijadin Sela, në një intervistë për Zërin e Amerikës, thotë se nuk do të pranojë ndryshime vetëm në pozicionin e ministrit të shëndetësisë.
“ASh nuk ka pse të bëjë përjashtim nga partnerët e tjerë të koalicionit. Do të pranojmë në qoftë se ka rikonstruim të të gjithë qeverisë dhe nuk ka pse vetëm Aleanca apo vetëm ministri i ASh-së të ndryshohet në ndonjë pozicion tjetër”,- tha kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.
Kryeministri Zaev paralajmëroi se do hapet debat dhe tha se beson që ekziston mundësi përmes dialogut të gjendet zgjidhje për të gjitha çështjet.
FLUTURA LATIFI
