Maqedoni

Veljanovski nuk liron kolltukun e kryesuesit për Halitin

04.07.2014 17:07

Kryeparlamentari, Trajko Veljanovski, shprehet i vendosur që të mos u lejojë dy nënkryetarëve të sapozgjedhur të Kuvendit, Rafiz Halitit dhe Antonio Milloshovskit...

Kryeparlamentari, Trajko Veljanovski, shprehet i vendosur që të mos u lejojë dy nënkryetarëve të sapozgjedhur të Kuvendit, Rafiz Halitit dhe Antonio Milloshovskit, të drejtojnë seancat kuvendore. I pyetur nëse nënkryetari Haliti do të mund të udhëheq seancat parlamentare në gjuhën shqipe, kryparlamentari Veljanovski, ka thënë se deri sa ai të ndjehet mirë fizikisht dhe të ketë energji, askush tjetër nuk do të udhëheqë me seancat parlamentare. 
 
Kryetari Veljanoski, po ashtu ka bërë të ditur se e ka caktuar më 15 korrik mbledhjen e Komisionit për çështje kushtetuese, i cili do të shqyrtojë propozimin për ndryshimet kushtetuese, të iniciuar nga Qeveria. Derisa më 16 korrik pritet të miratohet nevoja për ndryshimet kushtetuese me 2/3 e votave.
 
Procedura deri në miratimin final të ndryshimeve kushtetuese, pritet të zgjat rreth tre muaj e gjysmë, përfshirë këtu edhe debatin publik. Nevoja për ndryshimet kushtetuese në Kuvend, duhet të miratohet me dy të tretat e votave. 
 
Veljanoski, po ashtu informoi se së shpejti para deputetëve për miratim do të dorëzohet edhe vendimi i KSHZ-së për kompensim të fushatës zgjedhore për zgjedhjet presidenciale dhe atyre parlamentare, me ç’rast, subjektet politike dhe kandidatët për president do të marrin nga 15 denarë për çdo votë të fituar. 
 
Lidhur me dorëheqjet e deputetëve të opozitës, kreu i Kuvendit u shpreh se gjatë muajit korrik dhe gusht, nuk do ta vazhdojë seancën e katërt të Kuvendit, ku duhet të konstatohen dorëheqjet e deputetëve opozitarë, me qëllim që t’i lërë hapësirë dialogut politik.
 
Ndryshe, të gjithë deputetët opozitarë kanë dorëzuar te shërbimet e Kuvendit llogaritë bankare dhe kanë marrë pagat për muajin maj, ndërkohë që sot u është paguar edhe ajo për muajin qershor. 
 
MEFAIL ISMAILI