Maqedoni
Zaev: Të përkushtuar për zgjidhjen e kontestit me Greqinë. Xhaferi: Dialogu zgjidh problemet
13.12.2017 15:01
Qeveria po krijon kushte për ndërtimin e një konsensusi nacional me të gjitha subjektet kryesore vendimmarrëse politike, kreun e shtetit dhe atë të opozitës, theksoi kryeministri Zaev...

Sipas tij, e gjithë kjo bëhet me qëllim të përshpejtimit të integrimit euroatlantik të vendit. Duke folur në shënimin e 20 vjetorit të themelimit të Këshillit Veri-atlantik në Maqedoni, Zaev ripotencoi përkushtimin e ekzekutivit që drejton në zgjidhjen e kontestit me Greqinë, që do t’i hapte rrugë eurointegrimit të vendit.
“Ne jemi të përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje për problemin që kemi me Republikën e Greqisë për emrin e shtetit tonë. Mendojmë se kjo është e mundur me qasje inkluzive brenda vendit dhe me ndërtimin e atmosferës pozitive për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Greqinë. Prej këtu, me të drejtë presim që Republika e Maqedonisë të jetë anëtarja e ardhshme e Aleancës, dhe në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm të marrim edhe ftesë për fillimin e bisedimeve me BE-në”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Kryeparlamentari Xhaferi thotë se politikanët janë të obliguar të zgjidhin problemet që pengojnë integrimin në NATO, pasi përkrahja nga qytetarët nuk mungon. Xhaferi fton në dialog të hapur.
“Prapa këtyre trendeve pozitive qëndron vetëm një vegël e që është dialogu. Dialogu në planin e brendshëm mes subjekteve politike, dialogu me publikun dhe sektorin joqeveritar, dialog dhe transparencë me mediat dhe në ndërkohë kemi hapur edhe proces të dialogut me fqinjët, me çka krijojmë atmosferë të besimit të ndërsjellë. Në këtë mënyrë fillojnë proceset për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe gjithë kjo çon në stabilitet rajonal dhe perspektivë europiane”,- theksoi kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
Për kryetarin e Këshillit Euroatlantik në Maqedoni, Ismet Ramadanin, duhet fokus edhe në problemet e tjera.
“Eliminimi i mosmarrëveshjeve ndëretnike, çrrënjosja e korrupsionit dhe zgjidhja e të gjithave çështjeve të hapura me fqinjët, hapin portën e madhe të paktit veri-atlantik për Maqedoni”,- u shpreh kryetari i Këshillit Veri-atlantik të Maqedonisë, Ismet Ramadani.
Sipas kreut të ekzekutivit, tashmë po përcillet mesazhi i fortë për sistem të sinqertë politik dhe mbyllje të të gjithave kontesteve që e pengojnë rrugën integruese të vendit. Ai përshëndet mbështetjen e Kombeve të Bashkuara në këtë drejtim, por potencon se angazhimi duhet patjetër të vijë nga shtetet që përballen me sfidat.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
