Allagjozovski: Më shumë mjete për Teatrin në Shkup e Tetovë
4 miliardë e 268 milion denarë është buxheti i Ministrisë së Kulturës...

4 miliardë e 268 milion denarë është buxheti i Ministrisë së Kulturës për vitin e ardhshëm, njofton “TVM2”.
Ministri Allagjozovski e cilësoi si buxhet zhvillimor dhe premtoi se mjetet do të shkojnë drejtpërdrejt në kulturë, për punë për të gjithë artistët dhe për zhvillim të artit në të gjithë vendin. Sipas tij, në këtë buxhet janë rritur mjetet edhe për ndërtimin e Teatrit Shqiptar në Shkup dhe atij në Tetovë, projekte të cilat po zgjasin me vite. Premtoi punë më dinamike për përfundimin e tyre.
“13% do të shpenzohen për ndërtimin e Teatrit Shqiptar në Shkup dhe teatrin dhe bibliotekën në Tetovë, 12% do të shkojnë për veprimtari të dramës, 11% për sigurim të trashëgimisë kulturore, 9% për veprimtarinë muzikore, 7% për folk dhe sens, 6.9% për muze, 6.3% për bllok-dotacione, ndërsa rreth 4% janë për Agjencinë e Filmit”,- deklaroi ministri i Kulturës, Robert Allagjozovski.
Allagjovski tha se janë shkurtuar të gjitha shpenzimet megalomane dhe joproduktive.
“Me këtë buxhet i japim fund projektit të ashtuquajtur “Shkupi 2014”. Nuk ka borxhe të reja në shpinë të qytetarëve dhe shlyhemi me kohë për obligimet tona, që mos të krijojmë dëm financiar”,- u shpreh ministri i Kulturës, Robert Allagjozovski.
Si projekte kapitale të rëndësishme Allagjoyofski përmendi Shtëpinë e Oficerëve në Manastir dhe ndërtimin e përkujtimores së Toshe Proevskit. (Belinda Koka-Ademi, TVM2)
