Maqedoni
Përbërja e re e KSHZ-së në duart e VMRO-së? Ziberi: Duhet votim me 2/3, VMRO do të bojkotojë
13.12.2017 15:42
Në seancën e së premtes, kuvendi duhet të konstatojë dorëheqjet e deponuara të anëtarëve të KShZ-së...

Në seancën e së premtes, kuvendi duhet të konstatojë dorëheqjet e deponuara të anëtarëve të KShZ-së dhe menjëherë pas do të duhet të fillojë procedura për emërimin e anëtarëve të rinj. Kryeministri Zaev thotë se përbërja aktuale e KShZ-së është në punë deri në konstatimin e dorëheqjeve të tyre.
“E dini se ka vende të zbrazëta të deputetëve të cilët duhet të plotësohen nga KShZ-ja. KShZ-ja është në dorëheqje, por duhet të vazhdojë të punojë derisa Kuvendi nuk i konstaton dorëheqjet. Të gjitha këto punë duhet të kompletohen që të mundemi juridiko - formalisht t’i zbatojmë procedurat duke përfshirë edhe kompletimin e Qeverisë”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Pas konstatimit të dorëheqjeve, në një afat prej tre ditësh, partitë duhet t’i propozojnë kryeparlamentarit Xhaferi emrat e rinj për anëtarë të KShZ-së. Por, situata vështirësohet nga bojkoti i VMRO-DPMNE-së në punën e Kuvendit. Për kompletimin e përbërjes së re të KShZ-së janë të nevojshme 2/3 e votave, përkujton juristi, Naser Ziberi.
“Duke marrë parasysh se VMRO-DPMNE-ja ka paralajmëruar bojkotim të punës së Parlamentit, procedura e zgjedhjes së anëtarëve të rinj, kryetarin dhe nënkryetarin e KShZ-së, do të vështirësohet, sepse me Kodin Zgjedhor parashihet zgjedhja të anëtarëve të rinj të bëhet me 2/3 të votave, kërkon shumicë të kualifikuar e cila në mungesë të pjesëmarrjes të kësaj partie në punën e parlamentit është e pamundshme”,- theksoi juristi, Naser Ziberi.
Në rrethana të këtilla, Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve ka kompetenca të propozojë kandidatë të rinj, mirëpo edhe kjo mund të mos realizohet pasi që kryetari i këtij komisioni, i cili është nga radhët e VMRO-DPMNE, e i njëjti mund të mos e thërrasë seancën, sqaron Zyberi.
“Duke marrë parasysh se kryetari i Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime është nga radhët e VMRO-DPMNE-së, konvokimin e seancës nuk ka kush ta bëjë, kështu që do të detyrohet që kryetari i parlamentit në mungesë të konvokimit të seancës të emërojë një ushtrues detyre të kryetarit të komisionit, i cili do të duhet të konvokojë seancën, mirëpo edhe po të konvokohet seanca e komisionit nuk ka organ i cili mund të bëjë zgjedhjen e anëtarëve të rinj, sepse nuk ka vota të mjaftueshme, nuk ekzistojnë 2/3 dhe përsëri çështja do të mbetet e pazgjidhur”,- tha juristi, Naser Ziberi.
KShZ mbeti vetëm me një anëtar, pasi të gjithë të tjerët dhanë dorëheqje pas presionit të opinionit publik, për shkak të mostransparencës në marrjen e vendimit të bonuseve shtesë në ciklet e fundit zgjedhorë.
Anëtarja e vetme që nuk ka ofruar dorëheqje është Ermira Asani - Salija, e propozuar nga Lëvizja Besa, por ajo thotë se nuk ndjen asnjë përgjegjësi morale, pasi nuk ka marrë pjesë në mbledhjen ku janë votuar paratë shtesë.
REXHEP QAMILI
