Qeveria ia rikthen buxhetin kuvendit, mjete shtesë për shkolla e çerdhe, FSSh dhe IMJ

13.12.2017 15:42

Buxheti 2018 ka kaluar edhe një herë në qeveri dhe i është rikthyer sërish kuvendit...

Buxheti 2018 ka kaluar edhe një herë në qeveri dhe i është rikthyer sërish  kuvendit, në pritje të votave të deputetëve në seancën plenare. Shuma mbetet e njëjtë, 3 miliardë e 443 milionë euro, por është bërë realokim i mjeteve dhe janë marrë masa të reja.

“120 milionë denarë janë siguruar për procesin e gazifikimit, 200 milionë denarë shtesë janë paraparë si bllok-dotacione për çerdhe të fëmijëve, shkolla fillore dhe të mesme. Fondi për Sigurim Shëndetësor do të ketë 100 milionë denarë shtesë ku shumica e këtyre mjeteve do të jenë për ilaçe dhe 10 milionë denarë shtesë për Inspektoratin e Mjedisit Jetësor”,- deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.

SHPENZIMET E FUNKSIONARËVE, KONTROLLE TË RREPTA PËR ÇDO PARA TË HARXHUAR

Tashmë qeveria do të kontrollojë në mënyrë plotësuese të gjitha shpenzimet e funksionarëve të emëruar e më vonë edhe të bartësve të funksioneve publike.

“Të gjithë ministrat, zëvendësministrat, sekretarët shtetërorë dhe sekretari gjeneral duhet të paraqesin shpenzimet e tyre se sa kanë shpenzuar nga buxheti i paraparë për ta në 6 muajt e parë nga marrja e funksionit. Kjo fillon me këta funksionarë, ndërsa më vonë do të kërkohet dhe nga gjithë bartësit e funksioneve publike”,- theksoi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.

Ai premtoi transparencë në çdo vendim që merret nga qeveria dhe bërjen publike të tyre për opinionin publik. Gjithashtu në mbledhjen e fundit qeveria vendosi të ndajë 6 milionë denarë si ndihmë Shqipërisë për përmbytjet e para dy javëve. (Gazmend Rexhepi, TVM2)