Maqedoni

Kategoritë e rrezikuara sociale, Kryqi i Kuq mbledh partnerët, kërkon mbështetje; Fazliu: Kategoritë sociale, në fokus të komunave

13.12.2017 17:13

Ndërgjegjësimi për bashkëpunim i kompanive - korporatave dhe investimeve korporatave, sa vjen e rritet, për shkak të politikave dhe aktiviteteve të Kryqit të Kuq...

Ndërgjegjësimi për bashkëpunim i kompanive - korporatave dhe investimeve korporatave, sa vjen e rritet, për shkak të politikave dhe aktiviteteve të Kryqit të Kuq, që kanë për qëllim nxitjen e mëtejshme të interesit publik, për mbështetjen e kompanive dhe mbështetje për kategoritë e rrezikuara sociale. Kryqi i Kuq ka mbajtur sot takimin e tetë me partnerët për të diskutuar rreth thellimit të bashkëpunimit dhe inkuadrimin edhe të kompanive të tjera.
 
“Nëpërmjet këtij bashkëpunimi përpiqemi t’i detektojmë problemet në shoqëri për nevojat e kategorive të rrezikuara sociale, t’u ndihmojmë atyre me aq sa mundemi, disa nga problemet e tyre do të zgjidhen kur ne punojmë bashkë. Kjo që të motivojmë edhe kompanitë për investime korporative, kompanitë të cilat nuk janë pjesë e këtyre projekteve, të na mbështesin në këtë drejtim”,- deklaroi sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq, Sait Saiti.
 
Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Suheil Fazliu, tha se në kushtet e decentralizimit mbi kompetencat në nivel lokal, komunat luajnë një rol të rëndësishëm për qytetarët dhe biznesin.
 
“Politika e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale është të sigurojë kushte për barazim dhe qasje për të gjitha shërbimet e qytetarëve. E njëjta gjë pritet edhe nga pushteti lokal në territor komunal. Me rëndësi të veçantë është kujdesi i kategorive të rrezikuara sociale dhe integrimi i tyre në shoqëri”,- theksoi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Suheil Fazliu.
 
Për vitin e ardhshëm, ministri i Pushtetit Lokal premtoi se nga buxheti i kësaj ministrie do të ndajë tre milionë denarë për implementimin e planeve aksionale lokale për të zbatuar strategjinë për integrimin e romëve në shoqëri.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU