Maqedoni

Ligji i ri për energjetikë, çmimi në dorë të kompanive furnizuese

13.12.2017 17:37

Nga fundi i vitit 2018 pritet të ketë liberalizim të energjisë elektrike....

Sipas ligjit të ri të përgatitur nga qeveria, qytetarët do të kenë të drejtën për të zgjedhur vetë furnizuesin me energji elektrike dhe gaz natyror.
 
Ligji është përgatitur në pajtueshmëri me legjislacionin europian dhe me këtë sipas qeverisë do t’i jepet fund monopolit dhe do të ndikojë në rritjen e konkurrencës dhe uljen e çmimeve. Me liberalizimin e tregut energjia elektrike nuk do të jetë me tarifë të lirë, siç është tani, por ajo do të varet nga paketat e furnizuesve. 
 
“Me këtë ligj arritëm të sigurojmë harmonizim të legjislacionit nacional me pakon e tretë të masave energjetike të BE-së, me këtë hap ne përmbushim detyrimet e ndërmarra nga marrëveshja e komunitetit energjetik, pra ky projekt-ligj ofron zgjidhje europiane në sektorin e energjisë dhe është plotësisht i harmonizuar me rregullat e Bashkimit Europian”,- deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
“Furnizuesit vetë do të ofrojnë paketa të volitshme klientëve të tyre. Vetëm dua tua rikujtoj dhe të ndërlidhem me atë që ndodhi me operatorët telefonikë. Furnizuesit duhet që të jenë më inovativ dhe të ofrojnë paketa të cilat do të jenë interesante dhe atraktive për qytetarët, me qëllim të mbajtjes së tyre”,- u shpreh zëvendëskryeministri, Koço Angjushev.
 
Nga Bashkësia energjetike thonë se Maqedonia përfundimisht duhet që të implementojë këtë ligj, pasi i njëjti, sipas tij, në plan të parë vë qytetarin.
 
“Çështja është që ky ligj të jetë i drejtuar kah shpenzuesit, jo nga prodhuesit e energjisë apo tek pjesëtarët e tjerë në treg, siç ishte në të kaluarën, dhe ata kanë pasur më shumë ndikim në krijim e politikave”,- u shpreh drejtori i Sekretariatit të Bashkësisë Energjetike, Janez Kopaç. 
 
Qytetarët që nuk do të zgjedhin furnizues, do të furnizohen me rrymë nga kompania të cilën e zgjedh shteti. Nga qeveria thonë se me këtë ligj nuk stimulon privatizimin e ELEM-it dhe MEPSO-s, por vetëm neutralizohet komoditeti të cilin e kishin këto dy institucione. 
 
ERSAN PAJAZITI