Botë
SHBA-të shënojnë 238 vjetorin e pavarësisë
04.07.2014 17:09
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shënojnë sot 238 vjetorin e pavarësisë. Më 4 korrik të vitit 1776...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shënojnë sot 238 vjetorin e pavarësisë. Më 4 korrik të vitit 1776, 13 kolonitë e para amerikane kanë shpallur pavarësinë nga Britania e Madhe.
“Dita e Pavarësisë” në SHBA, tradicionalisht festohet me fishekzjarrë, parada, koncerte festive dhe tubime e këngë patriotike. Dita e pavarësisë shënohet edhe në përfaqësitë diplomatike amerikane në mbarë botën, përfshirë edhe ambasadën e SHBA-ve në Shkup. Të pranishëm në ceremoni ishin kreu shtetëror i Maqedonisë, përfaqësues politik dhe korri diplomatik.
Ambasadori amerikan, Paull Wohlers, para të pranishmëve tha se llojllojshmëria e qytetarëve e bën Amerikën edhe më të fuqishme, ashtu si edhe llojllojshmëria e marrëdhënieve tona me vendet nëpër të gjithë botën me partner, siç është edhe Republika e Maqedonisë.
“Ushtarët tanë amerikan, ishin krah për krah me ushtarët nga Maqedonia në Irak dhe Afganistan, që nga viti 1996 e këndej, mbi 400 vullnetarë të korpusit të paqes, kanë vendosur lidhje dhe miqësi në qytete dhe fshatra nëpër Maqedoni, kompanitë amerikane kishin përfitime nga forca e kualifikuar dhe e talentuar e punës në Maqedoni, nëpërmjet programit për shkëmbim të Ambasadës së SHBA-ve në 20 vitet e kaluara, mbi 20 mijë qytetarë të Maqedonisë kanë qëndruar në SHBA për të studiuar, punuar dhe për të ndërtuar ura të reja të mirëkuptimit mes popujve tanë”, deklaroi ambasadori i SHBA-ve në Shkup, Poll Volers.
Në “Ditën e pavarësisë”, SHBA-të kanë pranuar urime të shumta, përfshirë edhe urimin adresuar homologut të tij amerikan, Barak Obama, nga presidenti rus, Vlladimir Putin.
Presidenti rus, krahas urimit ka theksuar se “Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, si vende që mbajnë përgjegjësi të jashtëzakonshme për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë ndërkombëtare, duhet të bashkëpunojnë në interes të të gjithë botës”.
NAIM SINANI
