Maqedoni

Rasti “Transportuesi”, PPS: Përdorën arsimin për përfitime personale; Talevski: PPS u krijua të njollosë funksionarët e VMRO-së

13.12.2017 18:06

Në Gjykatën Penale pas tre anulimeve të njëpasnjëshme ka filluar shqyrtimi kryesor në rastin e PPS-së “Transportuesi”...

Në Gjykatën Penale pas tre anulimeve të njëpasnjëshme ka filluar shqyrtimi kryesor në rastin e PPS-së “Transportuesi”, ku i akuzuari i parë është ish kryetari i komunës së Manastirit, Vladmir Talevski.
 
Sipas aktakuzës së PPS-së, 21 personat e akuzuar në këtë rast kanë keqpërdorur detyrën dhe autorizimet zyrtare gjatë sigurimit të transportit të nxënësve, me çka kanë dëmtuar buxhetin për më shumë se gjysmë milion euro. Prokurori special, Trajçe Pelivanov, thotë se në këtë rast bëhet fjalë për krim i cili në kryerje ka bashkëpunëtorë dhe ndihmës. Ai tha se organizimi i shkollimit duhet të jetë prioritet dhe jo të keqpërdoret për përfitime personale apo grupore, aq më pak nga një i zgjedhur i popullit.
 
Ajo që të akuzuarit janë fajtorë për këtë vepër e kanë vërtetuar edhe përgjimet e publikuara dhe biseda mes ish ministrave, Jankullovska dhe Stavrevski, të cilët vërtetojnë se në komunën e Manastirit po bëhet korrupsion i skajshëm. Talevski, sipas PPS –së, këtë procedurë e ka kryer me të akuzuarin, Slobodan Bonçanovski. Ata kanë planifikuar, organizuar dhe në mënyrë plotësisht kriminele kanë realizuar transportin e nxënësve. 
 
Ndërkohë, sipas Vlladimir Talevskit, në këtë rast nuk ka asnjë lloj krimi dhe se gjithë procedura është zhvilluar në mënyrë ligjore, por që e gjithë kjo është një skenar politik për rrëzimin e shtetit. Sipas tij, nga PPS-ja janë tendenciozë dhe nuk janë trup që duhet të bëjë drejtësi pasi që të njëjtit janë formuar nga vendimi i partive politike.
 
“PPS ka paramenduar që të gjendet mënyrë politike për njollosjen e një pjese të funksionarëve të VMRO-DPMNE-së. Unë besoj në gjykatë dhe jam i bindur se do t’i shohin faktet dhe të dhënat dhe se në fund do të fitojë e vërteta”,- tha i akuzuari, Vlladimir Talevski.
 
Në këtë keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare bëjnë pjesë edhe drejtorët e disa shkollave të cilat edhe pse e kanë vërejtur se bëhet fjalë për fatura me shuma më të larta se ato të parapara në thirrjen publike kanë pranuar të njëjtat, ndërkaq drejtuesit e firmave transportuese në këtë rast akuzohen se kanë ndihmuar të njëjtit në kryerjen e veprës. Sipas PPS-së, në disa raste nuk ka pasur as fatura e as thirrje publike, ndërsa janë ndarë mjetë financiare.
 
Nga PPS theksojnë se kanë prova të mjaftueshme të cilat do të dëshmojnë se të akuzuarit janë fajtorë për veprën për të cilën ngarkohen. Edhe në seancën e sotme gjyqësore avokatët mbrojtës për më shumë se dy orë arsyetime kërkonin që të anulohet seanca. Sipas tyre, zhvillimi i procedurës gjyqësore është në kundërshtim me ligjin, ndërsa kërkuan incizim dhe ndjekje të procesit sipas sistemit AKMIS.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI