Botë
Mbledhja e përbashkët e qeverive, Kumbaro: Kufijtë, s’kanë pse pengojnë bashkëpunimin
13.12.2017 18:35
Dy ditë para zhvillimit të mbledhjes së përbashkët të qeverive Maqedoni - Shqipëri, Tirana zyrtare duket mjaft entuziaste mbi efektet e saj...

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, shprehet në një intervistë për TVM2 se të paktën nga pikëpamja e kulturës, Shqipëria është më afër se kurrë me Maqedoninë. Kumbaro rendit marrëveshjet që do të nënshkruhen, që nga shkëmbimet e informacioneve, deri te kalendari i përbashkët kulturor.
“Ka një hov të madh me qeverinë e re të Maqedonisë dhe ka një propozim për një marrëveshje të shkëmbimit midis ITShShM-së dhe arkivues, të cilës duam t’i japim një formë më substancionale me qëllim që të gjithë le t’i themi dokumentet që kemi midis nesh të jenë të shkëmbyeshëm dhe në shërbim të zhvillimit të kulturës në Maqedoni. Ne duam të ndërtojmë një kalendar të përbashkët, unë tash jam takuar me ministrin e Kulturës së Maqedonisë dhe kemi rënë dakort, kemi shkëmbyer informacione për të cilat duhet të dakordohemi. Hapësira ballkanike është shumë e vogël për të pasur kufij ndaras strikt, kufijtë janë administrativë, por nuk janë për të penguar bashkëpunimin”,- deklaroi ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro.
Ministrja shprehet besimplotë edhe për realizimin e projektit për restaurimin e Shtëpisë muze të Alfabetit në Manastir. Siç shprehet Kumbaro, sinjalet nga Maqedonia janë pozitive.
“Dërguam një ekip nga Shqipëria nga Instituti i monumenteve të kulturës për të bërë një vlerësim fizik të situatës, nuk u vazhdua përtej kësaj. Le të themi ne se kemi bërë një mision identifikimi të problematikës dhe kemi qenë në pritje të palës maqedonase dhe tash është momenti më i mirë për ta rimarrë këtë projekt, për të ndërtuar një projekt të mirëfilltë të restaurimi të shtëpisë. Në iformacionet e mia edhe Qeveria e Maqedonisë dhe Ministria e Kulturës janë të gatshëm për këtë bashkëpunim”,- tha ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro.
Ndërkaq, ministrja thotë se viti 2018 do të jetë një vit mjaft i rëndësishëm për mbarë shqiptarët kudo që janë, pasi Qeveria shqiptare e ka shpallur si vitin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Për Kumbaron, kufijtë për hapësirën e rajonit janë vetëm administrativë dhe nuk ka aspak vend për pengesa
LULJETA NDOKA
