Botë

Vazhdojnë protestat në Gazë, 18 palestinezë të lënduar dhe 60 të arrestuar

13.12.2017 19:08

Vazhdojnë protestat në Rripin e Gazës. 18 palestinezë janë lënduar në protestën e fundit, gjatë së cilës ndërhyri Policia izraelite...

Së paku 60 palestinezë u arrestuan në bastisjet e mbrëmshme të ushtrisë izraelite, në mesin e të cilëve dhe tetë fëmijë nga Jerusalemi. Sipas autoriteteve palestineze, Izraeli aktualisht mban rreth 6.500 palestinezë në burgje, shumica prej të cilëve vijnë nga Bregu i pushtuar perëndimor.
 
Vendimi i Donald Trump shkaktoi reagime të ashpra në mbarë botën. Presidenti turk edhe një herë u bëri thirrje vendeve të botës të njohin Jerusalemin Lindor si kryeqytet të Palestinës, si një kundërpërgjigje ndaj njohjes së njëanshme që Uashingtoni i bëri Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit.  
 
“Ftoj të gjitha vendet që respektojnë ligjin ndërkombëtar dhe drejtësinë për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e pushtuar të shtetit të Palestinës. Ata që luftojnë me miqtë e tyre harrojnë të luftojnë kundër armiqve. Nevojitet një zgjidhje diplomatike. Duhet të ndalim Izraelin, i cili po i merr Palestinës çdo ditë e më shumë tokë”,- deklaroi presidenti i Turqisë, Rexhep Taip – Erdogan.
 
Në Samitin e organizatës për bashkëpunim islamik, në Stamboll, foli edhe Mahmud Abas - president i autoritetit palestinez, - i cili akuzoi Uashingtonin për njëanshmëri.
 
“Me këtë veprim, Shtetet e Bashkuara e humbën kompetencën si ndërmjetës në procesin e paqes. Ne nuk do të pranojmë asnjë rol të ShBA-së në procesin e paqes. Vendi tregoi se është plotësisht i njëanshme në favor të Izraelit”,- theksoi presidenti i autoritetit palestinez, Mahmoud Abbas.
 
Kjo është hera e parë që prej ndarjes së territoreve mes izraelitëve dhe palestinezëve në vitin 1947, që një prej vendeve anëtare të kuartetit ndërmjetësues të procesit si Shtetet e Bashkuara tërhiqen nga politika nxitëse e dialogut dhe njohin Jerusalemin si kryeqytet në Izraelit.
 
GAZMEND KURTISHI