Maqedoni
Televizioni publik bullgar, do të shihet edhe në Maqedoni
04.07.2014 17:13
Drejtori gjeneral i RTM-së, Marijan Cvetkovski dhe drejtoresha e Televizionit Nacional Bullgar, Vera Jankova...

Drejtori gjeneral i RTM-së, Marijan Cvetkovski dhe drejtoresha e Televizionit Nacional Bullgar, Vera Jankova, sot në Ohër nënshkruan marrëveshje që programet e tyre të emitohen në territoret e të dyja vendeve. Kjo marrëveshje është rezultat i debatit joformal të gazetarëve të afirmuar nga të dyja vendet, që e inicioi Oda Ekonomike maqedono-bullgare.
“RTVM-ja me kënaqësi jep të drejtën e riemitimit të programit të kanalit satelitor në televizionet bullgare dhe mendoj se qytetarët e Maqedonisë me kënaqësi do të shikojnë programet e servisit nacional bullgar, ndërsa bashkëpunimi ynë do të thellohet edhe në fusha tjera”, deklaroi drejtori gjeneral i RTVM-së, Marijan Cvetkovski.
“Parim themelor i misionit tonë është që të përhapim historinë dhe kulturën e popullit tonë, në mënyrë që të njoftohen shtetet tjera me shtetin tonë, por edhe anasjelltas, të mësojmë edhe për kulturën e shteteve tjera në veçanti, kur kemi të bëjmë me shtetet fqinje”, theksoi drejtoresha e Televizionit Nacional Bullgar, Vera Jankova.
Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, pason dialogu për mundësitë e realizimit të projekteve të përbashkëta televizive mes të dyja serviseve publike.
FLUTURA LATIFI
