Maqedoni
BFIM: Të ndihmohen skamnorët
04.07.2014 17:16
Nuk është besimtar i devotshëm dikush që ka rënë në gjumë që të flejë, ndërkohë që fqinji i tij është i uritur dhe vuan për kafshatën e gojës...

Nuk është besimtar i devotshëm dikush që ka rënë në gjumë që të flejë, ndërkohë që fqinji i tij është i uritur dhe vuan për kafshatën e gojës.
Sidomos gjatë “Muajit të Ramazanit”, duhet të solidarizohemi më shumë me familjet e kategorive sociale dhe të ndikojmë që ata të kenë sofër të bollshme, deklarojnë nga Bashkësia Islame e Maqedonisë, prej ku po ashtu apelojnë që të ndihmohen të varfrit dhe të përkujdesemi për jetimët.
“Gjithmonë e dimë që profeti Muhamedi a.s., porosiste që çdo herë kur përgatitet ushqim, nëse themi se bëhet fjalë për dy persona apo tre, gjithmonë ai ushqim të jetë i bollshëm dhe të mjafton për tre–katër apo pesë persona. Do të thotë, sa do që të jenë të ulur në një sofër persona për të ngrënë, gjithmonë duhet t’i bëjmë vend edhe një njeriu tjetër, i cili do të jetë pjesë e atij ushqimi”, deklaroi nga Bashkësia Fetare Islame, Abaz Islami.
Në bazë të normave dhe principeve fetare, besimtari duhet të ketë edukim që të përkujdeset për familjet, të cilat kanë gjendje të rëndë socio-ekonomike, nga BFI na ftojnë dhe na porosisin që gjithmonë të jemi të kujdesshëm, të ndajmë nga pasuria jonë dhe të jemi në përkujdesje të të gjithë atyre.
Të hënën, BFI dhe Drejtoria e Vakëfeve të Turqisë, në të gjithë Myftinjtë e BFI organizon një aksion humanitarë të radhës dhe do tu ndajë produkte ushqimore kësaj kategorie të shoqërisë.
RINA TURKESHI-SAITI
