Maqedoni

BNJVL mbajti asamblenë e përgjithshme

04.07.2014 17:23

Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, ka mbajtur sot Asamblenë e përgjithshme vjetore, ku është prezantuar puna njëvjeçare e saj...

Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, ka mbajtur sot Asamblenë e përgjithshme vjetore, ku është prezantuar puna njëvjeçare e saj.
 
Në mesin e të arriturave, kryetari i BNJVL-së, Koce Trajanovski, përmendi dhënien e lejeve të ndërtimit në formë elektronike, po ashtu në qendrën trajnuese të BNJVL-së janë trajnuar më tepër se 3 mijë administratorë shtetërorë të sferave të ndryshme, ndërsa për vitin 2014, si projekt kyç u paralajmërua miratimi i planeve detale urganistike në formë elektronike.
 
Po ashtu, Pushteti Lokal kërkon nga Qeveria t’i ndahet një përqindje nga dhënia me koncesion e tokës bujqësore.
 
“BNJVL-ja punon në mënyrë kompakte, pavarësisht përkatësisë politike, etnike apo çfarëdo strukture tjetër. Vlerësoj se vendimet që miratohen janë në interes të qytetarëve të Maqedonisë, në interes të të gjitha komunave, pa marrë parasysh nga madhësia apo në cilën pjesë të Maqedonisë ndodhen”, deklaroi kryetari i BNJVL-së, Koce Trajanovski.
 
Punimet e Asamblesë së BNJVL-së i ndoqi edhe Ministri i Ambientit, Lirim Shabani, i cili njëherit paralajmëroi se kjo Ministri muajt e ardhshëm do të përpilojë një program të ri trevjeçarë për decentralizimin dhe zhvillimin e njësive të qeverisjes vendore, si dhe rishikimin e strategjisë për zhvillim rajonal për vitin 2009-2019.   
 
“Ajo që pres në të ardhmen, është një bashkëpunim konstruktiv edhe me BNJVL-në edhe me kryetarët e komunave. Ajo që pres është që bashkërisht ne të krijojmë politika, të cilat më pastaj do të na dërgojnë në një zhvillim më të madh të regjioneve në Maqedoni, ku si finalizim i këtyre politikave do të kishte qenë përmirësimi i jetës së qytetarëve në gjitha komunat”, theksoi ministri i Pushtetit Lokal, Lirim Shabani.
 
Në kuadër të përpjekjeve për të mbështetur Pushtetin Lokal, ministri Shabani përmendi rritjen e TVSH-së në favor të komunave nga 3 në 4.5 për qind dhe menaxhimin nga ana e komunave të tokës ndërtimore shtetërore.
 
GYLTENE SINANI