Shkup, ndotja e ajrit në nivel alarmant, IShP: Ndotja e ajrit dëmton shëndetin e qytetarëve
Shkupi sot nga qendrat matëse u regjistrua si qyteti me nivel alarmant të ndotjes së ajrit....

Shkupi sot nga qendrat matëse u regjistrua si qyteti me nivel alarmant të ndotjes së ajrit, sipas vlerave të shënuara në mëngjes, në Shkup, në hapësirën e Rektoratit vlera ishte 395 mikrogram në metër kub grimca PM 10, në Karposh janë shënuar 383 mikrogram metër kub të grimcave PM 10, në Qendër 316, në Lisiçe 291 dhe në Gazi Babë 261 mikrogram metër kub të grimcave PM 10, apo për 6 herë më shumë se sa niveli normal.
Ajri i ndotur në mënyrë të drejtpërdrejt është i lidhur me shëndetin dhe mirëqenien e njeriut, ndërsa më së shumti pësojnë personat me sëmundje kronike, të moshuarit dhe fëmijët.
“Pasojat janë të shumta duke nisur nga sistemi kardiovaskular, pra zemra dhe enët e gjakut, sistemi respirator, mushkëritë, prej rrugëve të epërme të frymëmarrjes, prej hundës, fytit, mandej edhe mushkërive, gjithashtu pëson edhe sistemi nervor, mund të vijë edhe te infarktet e trurit”,- deklaroi dr. Gjyltene Zendeli nga IShP.
Nga IShP theksojnë se në ndotjen a ajrit dukshëm ndikon edhe faktori njeri.
“Ta rrisim higjienën komunale, të mos djegim mbeturina të cilat ne i hedhim prej amvisërive, të mos ndezim materie të ndryshme, si goma, lëndë djegëse apo gazra të ndryshme, dërrasa të ndryshme të përpunuara, prej fabrikave të ndryshme lirohen edhe metale në formë të gazrave”,- u shpreh dr. Gjyltene Zendeli nga IShP.
Qytetarët thonë se e ndjejnë nivelin e lartë të ndotjes dhe mundohen të marrin masa për të mbrojtur të paktën fëmijët.
“Po, e dimë se ajri është shumë i ndotur, duhen maskat. Dëgjuam në televizion, po ja nuk i mbajmë maskat, jemi mësuar si duket, ne jemi nga Tetova”,- theksoi një qytetar.
“Ne jo, nuk mbajmë, por kryesorja djalin e kemi maskuar”,- u shpreh një qytetar.
“Jo, jooo, jemi bërë imun”,- tha një qytetar.
Një nga masat preventive qe të thithim sa më pak grimca është edhe mbajtja e maskave speciale, madje edhe mbulimi i gojës me shall apo leckë, po ja që një gjë të tillë shumë pak e praktikojnë qytetarët.(Sevdije Metaj-Ziber, TVM2)
