Maqedoni

OH “Kalliri i Mirësisë”, dru për ngrohje dhe batanije për familjet në nevojë

14.12.2017 16:33

Në përpjekje për t’u dalë në ndihmë skamnorëve dhe familjeve të varfra në këto ditë dimri, Organizata Humanitare “Kalliri i Mirësisë”...

Në përpjekje për t’u dalë në ndihmë skamnorëve dhe familjeve të varfra në këto ditë dimri, Organizata Humanitare “Kalliri i Mirësisë” ka filluar një aksion humanitar për t’u dalë në ndihmë familje në nevojë, duke i privilegjuar bonjakët. Ndihma përfshin gjërat më të nevojshme gjatë dimrit si batanije, veshmbathje dhe dru për ngrohje.
 
“Aksioni që sot po fillojmë ta realizojmë është faza e tretë e projektit me moton “Tua ngrohim trupin, tua ngrohim zemrën”, fushatë që Organizata humanitare “Kalliri Mirësisë” realizon për të grumbulluar mjete materiale dhe drunj prej të gjithë atyre donatorëve që dëshirojnë t’i bashkëngjiten fushatës. Projekti parasheh shpërndarjen e drunjve, batanijeve, veshmbathjes dhe artikujve ushqimorë për sasi të familjeve. Ne në këtë fushatë shpresojmë që të bëjmë shpërndarjen e 400 kub drunjve. Prioritet do të kenë familjet e bonjakëve si dhe rastet e rënda sociale të cilat realisht Organizata humanitare “Kalliri i Mirësisë” i ndihmon gjatë gjithë vitit në mënyrë periodike”,- deklaroi kryetari i Organizatës humanitare “Kalliri Mirësisë”, Rufat Sherifi.
 
Familjet në nevojë mirëpresin ndihmën, pasi thonë se e kanë të vështirë t’ia dalin me ndihmën sociale që e marrin. 
 
“Së pari falënderoj TVM 2 që ka ardhur të na vizitojë dhe “Kallirin e Mirësisë” që kanë interesim për fukarenjtë. Kemi pasur nevojë aq shumë, saqë me sociale nuk arrihet të jetohet 30 ditë. Kemi marrë ushqim, miell, krip, vaj, veshmbathje, në përgjithësi çka ka nevojë për njeriun na kanë ndihmuar”,- u shpreh një qytetar.     
                                                   
Fushata e “Kallirit të Mirësisë” është ndihmuar nga donatorë të brendshëm, përfshirë afaristë, individë, studentë dhe nxënës. Po ashtu këtyre ditëve priten donacione nga organizata të ndryshme nga Britania dhe Turqia.
 
GAZMEND REXHEPI