Maqedoni

Ndotja alarmante në Shkup, Shilegov: Po punohet për zgjidhje sistematike

14.12.2017 17:00

Maqedonia po ngulfatet në smog dhe mjegull. Shkupi por edhe disa qytete tjera të vendit në suaza botërore mbajnë vendin e parë për nga ndotja e ajrit...

Maqedonia po ngulfatet në smog dhe mjegull. Shkupi por edhe disa qytete tjera të vendit në suaza botërore mbajnë vendin e parë për nga ndotja e ajrit, me 374 mikrogram në metër kub, ndërsa pas nesh janë India dhe Bangladeshi. Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, thotë se po punohet në zgjidhjen sistematike dhe në realizimin e masave afatshkurta.
 
“Jam në pritje se gjatë muajit janar do të vendosen pastruesit e ajrit në një pjesë të shkollave të mesme dhe aty do të kemi një ambient më të pastër për fëmijët. Gjithashtu punojmë në përpilimin e konceptit të ri të transportit publik dhe së bashku me komunat bëjmë harmonizimin e planeve urbanistike që të mund të ndalojmë ndërtimin e objekteve në vende ku pengohet qarkullimi i ajrit”,- deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shillegov.
 
Qasja e përbashkët dhe e unifikuar e përfaqësuesve të pushtetit qendror, lokal dhe sektorit civil, është e domosdoshme në këtë periudhë për ta përmirësuar cilësinë e ajrit në vend, apeluan pjesëmarrësit e forumit në Shkup kushtuar kësaj çështjeje.
 
“U bëjmë thirrje të gjithëve për bashkëpunim dhe partneritet, se vetëm në këtë mënyrë dhe me aksion të përbashkët do të mund të përballemi me sfidën më të madhe në Maqedoni, ndotjen e ajrit”,- tha zëvendësministri i Ekologjisë, Jani Makraduli.
 
“Problemi është shumë kompleks dhe për këtë arsye së bashku jemi këtu me përfaqësuesit e pushtetit lokal, qendror dhe sektorit civil, që të shkëmbejmë praktikat dhe masat e zbatuara në vendet  europiane që të mund të gjendet zgjidhje për këtë problem në Maqedoni”,- u shpreh drejtori i Zyrës për Zhvillim e USAID-it, Edvard Konzales.
 
“Nevojitet urgjentisht të kontrollohen kompanitë e vogla dhe të mesme që punojnë në mbrëmje dhe duhet gjetur zgjidhje për familjet sociale që përdorin lëndë të ndryshme për ngrohje”,- theksoi Kristina Prileçanska nga një OJQ ekologjike.
 
Qyteti i Shkupit ka hapur linjën 193, ku qytetarët në çdo kohë do të mund të denoncojnë rastet ku janë hapur zjarret dhe paralajmëroi kontrolle dhe dënime të mëdha për të njëjtat. Sa i përket iniciativës së përhapur në rrjetet sociale që prindërit të mos i lënë fëmijët të shkojnë në shkollë, Shilegov e vlerësoi këtë si iniciativë të motivuar politikisht.
 
REXHEP QAMILI