Maqedoni
Fazliu: Pushteti lokal me buxhet prej 443 milionë denarë
14.12.2017 17:17
443 milion denarë peshon buxheti i Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale, i cili, sipas ministrit, Suhejl Fazliu...

443 milion denarë peshon buxheti i Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale, i cili, sipas ministrit, Suhejl Fazliu, do të garantojë investim në projekte për zhvillim të barabartë rajonal, zhvillim të projekteve planore në zonat me nevoja specifike dhe në fshatra.
Sipas ministrit Fazliu, mjetet për projekte për zhvillim të barabartë rajonal janë rritur me mbi 60%, më shumë do të investohet në zonat më pak të zhvilluara, ndërsa mjete parashihen edhe për ndërtimin e sheshit Skënderbeu.
“Më shumë mjete për projekte në rajonin më pak të zhvilluar, rajonin planor dhe veri-lindor dhe më së paku për rajonin më të zhvilluar, rajonin planor të Shkupit. Në bazë të kërkesës për mjete plotësuese për ndërtimin e sheshit Skënderbeu, qeveria solli konkluzion që mjetet e kërkuara në shumë prej 125 milion denarë të projektohen dhe parashikohen në Buxhetin e Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale për vitin 2018”,- deklaroi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Suhejl Fazliu.
Bashkëpunimi ndërkufitar është një tjetër segment të cilit do t’i kushtohet rëndësi, duke u planifikuar 40 milion denarë për bashkëfinancim, të financuara nga Programi IPA i Bashkimit Europian.
“Për nxitjen e bashkëpunimit ndërkufitar dhe zhvillimin e rajoneve kufitare, Ministria për Vetëqeverisje Lokale i siguron mjetet për bashkëfinancim në vlerë prej 15 për qind për çdo projekt të miratuar, pavarësisht se bartës i projektit është komuna, organizata joqeveritare, universitetet apo subjekti tjetër jofitimprurës”,- tha ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Suhejl Fazliu.
Në lidhje me borxhet e komunave, Fazliu tha se një mënyrë për t’u ndihmuar është që komunat t’i riprogramojnë borxhet dhe t’u mundësohet që me kredi me norma minimale interesi t’i prolongojnë borxhet që të mund të funksionojnë.
ERSAN PAJAZITI
