Maqedoni
Spasovski: Arrest ndërkombëtar për pesë të dyshuarit për terrorizëm; VMRO-DPMNE: Të lirohen të paraburgosurit për 27 prillin
14.12.2017 17:33
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, paralajmëron fletarrest ndërkombëtar për pesë personat...

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, paralajmëron fletarrest ndërkombëtar për pesë personat të cilët janë të pakapshëm për organet e rendit dhe që akuzohen për cenim terrorist të shtetit lidhur me incidentet e dhunshme në Kuvend më 27 prill.
“Në kërkim janë edhe pesë persona, për këtë është njoftuar edhe Prokuroria e Përgjithshme edhe gjykatësi i procedurës paraprake dhe presim që për ata të lëshohet fletëarrest ndërkombëtar”,- u shpreh Oliver Spasovski nga MPB.
Por, VMRO-DPMNE vazhdon me bllokimin e udhëkryqeve në kryeqendër në shenjë proteste për të kundërshtuar paraburgimin dhe masën e burgut shtëpiak për gjashtë deputetët opozitarë lidhur me këtë akuzë.
“Ne deputetët që jemi këtu, por edhe qytetarët, kemi dalë këtu t’u japim përkrahje kolegëve tanë dhe aktorëve të paraburgosur dhe të gjithë atyre qytetarëve të pafajshëm patriotë të cilët për shkak të ndjenjave të shprehura nacionale, ndaj shtetit, identitetit, gjuhës dhe simboleve shtetërore janë cak i ndjekjes politike dhe refanshizmit dhe ndodhen në burg”,- u tha nga VMRO-DPMNE.
Nën këtë akuzë tanimë janë arrestuar 30 persona, pjesa më e madhe e të cilëve kanë përfunduar në paraburgim, përfshirë dhe ish- ministrin e Brendshëm, Mitko Çavkov. Në paraburgim për incidentet e 27 prillit në Kuvend ndodhet edhe Abdylfetah Alimi, i cili akuzohet për “mosveprim”.
GYLTENE SINANI
