Maqedoni

S’kalon asnjë amendament për Ligjin e gjuhëve, Grubi: Propozim ligji nuk guxon të ndryshojë; Zendeli: Jo teatrit në komision, do ta mbështesim ligjin

14.12.2017 18:04

Komisioni për Çështje Europiane, sipas të gjitha gjasave, do të mbyll shqyrtimin e projekt ligjit për përdorimin e gjuhëve pa shqyrtuar asnjë amendament...

Gjithçka që ndodh në seancën e këtij komisioni është një farsë, pasi vetë kreu i komisionit, Artan Grubi, deklaroi se teksti i projekt ligjit nuk guxon të ndryshojë, meqë është marrëveshje politike mes partnerëve të koalicionit qeverisës dhe çdo ndryshim me ndonjë amendament rrezikon miratimin këtij ligji në seancë plenare.
 
“Në aspekt procedural, çdo amendament i cili do të pranohet dhe do të ndryshojë ligjin, do ta stërzgjat miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve me muaj të tërë dhe e vë në pikëpyetje se a do të miratohet fare apo jo. Në këtë mënyrë në të cilën e kemi zgjedhur ne si parti politike, jemi të bindur, garantojmë që ky ligj do të miratohet në formën e paprekur”,- deklaroi kryetari i Komisionit, Artan Grubi.
 
Ndërkaq, deputetët e Lëvizjes Besa rikonfirmuan qëndrimin se do ta mbështesin projektligjin në seancë plenare, edhe pse me të nuk mbyllet çështja e përdorimit të gjuhës shqipe. Sipas tyre, zhvillimet në seancën e komisionit janë teatër, prandaj nuk do të bëhen pjesë e tij.
 
“Ne edhe më herët kemi thënë se ligji si i tillë që është nuk e zyrtarizon gjuhën shqipe. Por, ne, duke pas parasysh rrethanat e ndryshme, se ky propozim ligj, kështu siç është, edhe pse nuk i plotëson këto kushte, nga ana e Lëvizjes BESA do të përkrahet”,- theksoi deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli.
 
Në mesnatë mbaron afati treditor për shqyrtimin e amendamenteve dhe më pas projektligji kalon në Komisioni juridik ligjvënës. Pasi të marrë dritë jeshile në këtë trup, projekt ligji vihet në seancë plenare, ku edhe pritet të miratohet. 
 
SHPËTIM NUREDINI