Kuvend, Xhaferi pret nënpresidenten bullgare, Jotova
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, priti sot nënpresidenten e Bullgarisë, Ilijana Jotova, e cila po qëndron për vizitë të shkurtër pune në Maqedoni...

Xhaferi me këtë rast konstatoi dinamikën e takimeve në muajt e kaluar në të gjitha nivelet, përfshirë edhe në nivelin parlamentar, si edhe një dëshmi për përpjekjet e përbashkëta të të dyja vendeve për përparimin e marrëdhënieve të ndërsjella.
"Republika e Maqedonisë dhe institucionet e saj punojnë me përkushtim në miratimin e pakos së ligjeve reformuese në muajt e ardhshëm, si edhe në përmirësimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, me shpresë për marrjen e raportit pozitiv nga Komisioni Europian vitin e ardhshëm. Në këtë kontekst, kryetari Xhaferi kërkoi mbështetje nga Republika e Bullgarisë gjatë kryesimit të saj me Këshillin e Bashkimit Europian për marrjen e datës rreth fillimit të negociatave për anëtarësim në BE",- thuhet në kumtesën e kabinetit të Xhaferit.
Nënpresidentja Jotova tregoi gatishmëri që Bullgaria, gjatë kohës së kryesimit të saj me BE-në, të bëjë gjithçka që është në mundësi të saj që Maqedonia të marrë datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Zgjerimi nuk duhet të jetë vetëm premtim, por realitet për Republikën e Maqedonisë.
Për anëtarësimin në NATO, Jotova i përshëndeti angazhimet e të dyja palëve për gjetjen e zgjidhjes për kontestin me emrin. Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se ratifikimi i Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë duhet të ratifikohet sa më shpejt në parlamentet e të dy vendeve, me përkrahje të gjerë parlamentare.
