Maqedoni

Likovë, Timonie takoi kryetarin Arifi

14.12.2017 18:36

Projekte të shumta në sfera të ndryshme dhe mundësia e ndarjes së bursave për nxënës dhe studentë...

Projekte të shumta në sfera të ndryshme dhe mundësia e ndarjes së bursave për nxënës dhe studentë, ishin disa nga temat që u biseduan në takimin e sotëm të ambasadorit të Francës në Maqedoni, Kristian Timonie, me kryetarin e komunës së Likovës, Erkan Arifin, gjatë vizitës së tij që ai ia bëri kësaj komune.
 
“Ne si kryetar komune e njoftuam me zhvillimet e fundit në komunën e Likovës, me proceset dhe prioritetet për investime në komunën e Likovës, rreth procesit edukativo-arsimor në komunën e Likovës, infrastrukturës komunale dhe për të gjitha nevojat që komuna e Likovës ka për investime si dhe ngritjen e vetëdijes së qytetarëve në këtë komunë”- tha ndër të tjera kryetari i komunës së Likovës, Erkan Arifi.
 
“Me të vërtetë isha tejet i impresionuar dhe i befasuar. Kisha përshtypje të mira nga planet e tij për zhvillimin e komunës në përgjithësi dhe nga planet që mi ofroi për përmirësimin e gjendjes në këtë komunë. Po ashtu kam marrë shënime të mira nga të gjithë, vullneti i tij që përkon me vullnetin e të gjithë atyre që synojnë të shkojnë drejt BE-së”,- deklaroi ambasadori i Francës, Kristian Timonie.
 
Më pas, ambasadori francez vizitoi edhe Shkollën fillore “7 Marsi” në fshatin Opajë, nxënësit e së cilës kishin përgatitur një program kulturor artistik kryekëput në gjuhën frënge, që befasoi këndshëm mysafirët nga Ambasada franceze.
 
NEXHAT AQIFI