Aeroporti i Shkupit, mjegulla anulon fluturimet
Mjegulla në fushëgropën e Shkupit edhe më tej e pengon zhvillimin e komunikacionit ajror....

Edhe sot Shkupi është gdhirë me ajër të ndotur. Stacionet matëse regjistrojnë ndotje më të madhe tek Rektorati, lagja Karposh, Qendër, Lisiçe dhe Milladinovcë. Ndotja bashkë me mjegullën edhe mëngjesin e sotëm ka shkaktuar probleme në zhvillimin e komunikacionit në vend.
Në aeroportin e Shkupit sot në mëngjes janë anuluar të gjitha fluturimet dhe aterrimet e planifikuara. Vetëm një fluturim është riorientuar në aeroportin e Prishtinës.
Dukshmëri të zvogëluar prej 50 deri në 100 metra ka në rrethrrotullimin pranë Shkupit, si dhe në akset rrugore Shkup – Katllanovë dhe Shkup – vendkalimi kufitar Bllacë. Në akset e tjera rrugore në vend komunikacioni po zhvillohet vende - vende nëpër rrugë të lagështa.
Ndotja në kryeqendrën e vendit, por edhe në disa qytete tjera të Maqedonisë, qysh dje ishte në përmasa alarmante, grimcat PM10 kishin arritur në 374 mikrogram në metër kub.
Qytetarët thonë se me të dalë nga shtëpia e ndjejnë nivelin e lartë të ndotjes. Derisa mjekët apelojnë për masa mbrojtëse pasi ajri i ndotur në mënyrë të drejtpërdrejt është i lidhur me shëndetin. Më së shumti pësojnë personat me sëmundje kronike, të moshuarit dhe fëmijët.
Kryetari i Shkupit, Petre Shilegov, dhe zëvendësministri i Ambientit, Jani Makraduli, thonë se po punohet për zgjidhje sistematike të këtij problemi, përfshirë edhe masat afatshkurtra. Por, ata kërkuan bashkëpunim nga të gjithë faktorët për t’u përballur me këtë sfidë. Me gjithë nivelin e lartë të ndotjes Shilegov nuk mendon se fëmijët duhet ndërprerë mësimin.
