Maqedoni
Protesta në Shkup, disa të lënduar dhe të arrestuar
04.07.2014 17:58
Protesta e sotme e organizuar në Shkup, në shenjë revolte kundër dënimit me burg të përjetshëm të 6 personave në procesin gjyqësor “Monstra”...

Protesta e sotme e organizuar në Shkup, në shenjë revolte kundër dënimit me burg të përjetshëm të 6 personave në procesin gjyqësor “Monstra”, rezultoi e tensionuar. Marshi protestues i qetë, u nis nga qendra tregtare “Çairçanja”, ndërsa situata u përshkallëzua kur protestuesit u afruan para Gjykatës Themelore të Shkupit.
Në përpjekje për të shpërndarë turmën, e cila u nis drejt Qeverisë, policia ka përdorur gaz-lotsjellës, shok-bomba dhe auto-botë me ujë. Policia gjatë intervenimit arrestoi disa nga protestuesit, ndërsa pati edhe polic të lënduar.
Pas një ore ballafaqim me policinë, protestuesit u tërhoqën në drejtim të qendrës tregtare “Çairçanja” dhe lagjes “Serovë”, ku policia përpiqej ta mbajë nën kontroll situatën.
Protesta u organizua në shenjë kundërshtimi të dënimit me burgim të përjetshëm të gjashtë personave, në lidhje me vrasjen e pesë të rinjve në afërsi të liqenit të Smillkovës në Shkup, më 12 prill të vitit 2012.
NAIM RAMADANI
