Maqedoni

Në rrjetet sociale, nismë për bojkotin e mësimit; MASh: Nuk ka vendim për ndërprerje të mësimit

15.12.2017 15:45

Ndotja enorme e ajrit në kryeqytet ka ndikuar që prindërit të bëjnë thirrje në rrjetin social fejsbuk për bojkotimin e mësimit...

Ndotja enorme e ajrit në kryeqytet ka ndikuar që prindërit të bëjnë thirrje në rrjetin social fejsbuk për bojkotimin e mësimit duke filluar nga 20 dhjetori, meqë, sipas tyre, fëmijët janë grupmosha më e rrezikuar nga ndotja. Kjo thirrje e tyre ka treguar efekt të menjëhershëm. Për të konstatuar gjendjen reale në teren, ekipi ynë xhiroi Shkollën Fillore “Liria” dhe Shkollën e Mesme “Zef Lush Marku”.
 
Nxënësit e këtyre shkollave për t’u mbrojtur nga ndotja përdornin maska dhe kërkuan ndërprerjen e mësimit. Ndërkohë, nga drejtoritë e shkollave theksuan se mungojnë nxënës, por jo në numër të madh.
 
“Kam vendosur maskë pasi që Shkupi është qytet më i ndotur dhe shumë prind kanë ndaluar fëmijët të shkojnë në shkollë për shkak të ajrit”,- tha një nxënës.
 
“Shumica e nxënësve nuk kanë ardhur sepse prindërit nuk i kanë lejuar për shkak të ajrit të ndotur”,- theksoi një nxënëse. 
 
“Dje Shkupi ishte qyteti i parë në botë sipas ndotjes, mund të ketë sëmundje të ndryshme, prandaj shqetësohemi”,- u shpreh një nxënës.
 
“E përkrahim iniciativën, mendoj se duhet të hënën të ndërpritet mësimi, sepse edhe sot kishte shumë mungesë të nxënësve në shkolla”,- potencoi një nxënëse.
 
“Unë jam pro iniciativës që të lirohemi, sepse ajri është i dëmshëm, nxënësit janë nga larg, sot nuk kanë ardhur për shkak të mjegullës, andaj i bëjmë thirrje MASh-it që të ndërpritet mësimi”,- u shpreh një nxënëse. 
 
“Në përgjithësi nuk është numri i madh i nxënësve që mungojnë, por mund të themi që dy ose tre nxënës në çdo klasë mungon, mirëpo a është kjo për shkak të këtij bojkoti ose për shkak të gripit sezonal, nuk kemi informata nga prindërit”,- theksoi drejtori i Gjimnazit ZLM, Faruk Zeqiri. 
 
“Sa i përket mungesës, nuk ka pasur mungesa të mëdha nga nxënësit, mirëpo është shqetësim edhe i nxënësve edhe prindërve që të merren masa”,- deklaroi profesori, Besart Emini.
 
Edhe prindërit janë tejet të shqetësuar për shëndetin e fëmijëve të tyre, andaj përkrahin nismën për mosvijimin e mësimit, por kjo nuk duhet të zgjasë shumë për shkak të suksesit të nxënësve.
 
“Kur hyra brenda pashë se kishte pak nxënës, me siguri se kanë munguar”,- theksoi një prind.
 
“Kjo është vetëm metodë e presionit ndaj pushtetit aktual dhe pushteteve të kaluara për papërgjegjësinë e tyre ndaj ajrit dhe shëndetit, duhet të ketë ndërprerje, por të mos zgjasë shumë për shkak të suksesit të nxënësve dhe orët duhet kompensuar”,- tha një prind. 
 
Edhe gjatë ditës së sotme matjet kanë treguar se më shumë se dhjetë herë është tejkaluar niveli i ndotjes nga parametrat e lejuara, andaj ditëve në vijim pritet përgjigje nga MASh nëse nxënësit do të lirohen nga mësimi.
 
FLUTURA LATIFI