Shtëpia e Shëndetit – Shkup: Ndotja e ajrit rriti numrin e pacientëve

15.12.2017 16:02

Niveli i lartë i ndotjes në Shkup ka ndikuar në rritjen e numrit të pacientëve...

Niveli i lartë i ndotjes në Shkup ka ndikuar në rritjen e numrit të pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Shtëpinë e Shëndetit në Shkup.

Siç bën të ditur drejtori i këtij institucioni shëndetësor, këtyre ditëve kryesisht pacientët kanë kërkuar ndihmë për shkak të problemeve shëndetësore kardiovaskulare, respiratore dhe sulmeve në tru.

“Për shkak të mungesës së masave preventive, tani kemi edhe ndotje enorme të ajrit, duke e bërë Shkupin qytetin më të ndotur në Europë që është alarmante. Ndotja e ajrit ka ndikuar që të rritet numri i pacientëve me probleme shëndetësore kardiovaskulare, respiratore dhe sulmeve në tru”,- deklaroi drejtori i Shtëpisë së Shëndetit – Shkup, Zllate Mehmedoviq.

Njëherit, Mehmedoviq theksoi se mjekësia preventive duhet të vendoset në krye të prioriteteve në sistemin shëndetësor të vendit. Këto vlerësime u bënë gjatë promovimit të aplikacionit për detektim të shpejt për çrregullim të rritjes në bashkëpunim mes Shtëpisë së Shëndetit dhe Shoqatës “Rritja”. (Gyltene Sinani, TVM2)