Maqedoni
Qyteti i Shkupit do të rinovojë Qendrën për trajtimin e qenve
15.12.2017 16:28
Qendra e vetme për trajtim human të qenve endacakë “Vardarishte”, nuk i plotëson kushtet minimale për kujdesje të kafshëve...

Ka mungesë të hapësirave për strehim dhe trajtim mjekësor, mungojnë pajisje të shumta dhe ilaçe, dhe higjiena fare nuk është në nivel. Këtë e ka treguar raporti i grupit punues të Qytetit të Shkupit i bërë për gjendjen momentale të kësaj qendre.
“Qendra “Vardarishte” duhet të ketë hapësira të veçanta për pranimin e kafshëve, për trajtime mjekësore, duhet pasur më shumë dhoma për strehim dhe kujdesjen e tyre. Gjithashtu nevojitet të ketë edhe hapësirë për vendosjen e kafshëve pas kastrimit të qenve endacakë, hapësira për grumbullimin e ushqimit dhe të ilaçeve, si dhe frigoriferë në të cilin do të mund të vendosen kufomat e kafshëve, gjithë kjo për momentin mungon në qendrën ekzistuese “Vardarishte””- tha Radmilla Sofrevska nga OJQ “Animamundi”.
Qyteti i Shkupit prej vitit të ardhshëm planifikon të rinovojë objektin ekzistues dhe paralajmëron ballafaqim më të suksesshëm me situatën me qenët endacakë që kohëve të fundit i kafshojnë qytetarët.
“Raporti i përgatitur do të prezantohet para të gjithë shërbimeve të qytetit të Shkupit dhe këshillit, dhe si rezultat i gjendjes aktuale, në buxhetin e vitit të ardhshëm në aline të veçantë janë parashikuar 10 milionë denarë për renovimin e objektit ekzistues dhe pajisjen e të njëjtit”,- u shpreh përfaqësuesi i grupit punues të Qytetit të Shkupit, Vasko Llazarevski.
Nga OJQ “Animamundi” supozojnë se në vend ka prej 6 deri më 10 mijë qenë endacakë. Ata thonë se ulja e numrit të qenve endacakë është e mundshme vetëm me kapjen dhe kastrimin që duhet bërë në përmasa të mëdha tek Qendra “Vardarishte”.
REXHEP QAMILI
