Maqedoni
Përfundoi debati për Ligjin e gjuhëve, Grubi: me këtë ligj rrumbullakohet Marrëveshja e Ohrit. Zendeli: nuk na u mundësua arsyetimi i amendamenteve
15.12.2017 16:49
Ka përfunduar mbrëmë vonë në Komisionin amë debati për propozim ligjin e gjuhëve...

Me këtë njëkohësisht ka përfunduar edhe mundësia për ndryshimin e formës autentike të propozim ligjit, shprehet kryetari i Komisionit, Artan Grubi.
“Debati mbi ligjin për gjuhën shqipe përfundoi në Komisioni amë mbrëmë vonë, 5 minuta, si dhe në Komisionin ligjvënës në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë para mesnate, me çka përfundoi leximi i dytë për këtë ligj kaq të rëndësishëm me të cilin rrumbullakohet Marrëveshja Paqësore e Ohrit pa asnjë ndryshim të vetëm nga forma autentike në të cilën është sjellë nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë”,- u shpreh kryetari i Komisionit për Çështje Europiane, Artan Grubi.
Grubi shpreh keqardhje për ikjen e opozitës shqiptare, siç thotë ai, për ligjin më të rëndësishëm për shqiptarët, ndërsa mospranimin e amendamenteve të tyre e arsyeton me mundësinë e kontestimit të ligjit në Gjykatën Kushtetuese, po qe se ato ishin pranuar.
Nga Lëvizja Besa thonë se edhe pse nuk iu është lejuar arsyetimi i amendamenteve, do ta votojnë propozim ligjin në seancë.
“Nga ana e kryetarit të komisionit nuk na u mundësua që të arsyetojmë amendamentet tona, ishin dy, por që prekin në konceptin e propozim ligjit, amendamenti i parë ishte për emërtimin e ligjit dhe e dyta qartë të përcaktohet se bëhet fjalë për gjuhë të barabartë me gjuhën dhe shkrimin maqedonas dhe cirilik. Ne, duke marrë parasysh shumë rrethana, faktorë, kemi thënë edhe më herët se do ta votojmë këtë propozim ligj në kuvend”,- u shpreh Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa.
Ndërkaq, nga LSDM thonë se amendamentet e tyre të dorëzuara do të inkorporohen në ligj pasi ai të kthehet nga Komisioni i Venecias.
“Për shkak të rrjedhës së seancës se Komisionit për Çështje Europiane, katër amendamentet nuk erdhën në rend, megjithatë jam i bindur se pasi të kthehet ligji nga komisioni i Venecias, ato amendamente do të jenë pjesë e ligjit”,- theksoi koordinatori i LSDM-së, Tomisllav Tuntev.
Propozim ligji për gjuhët pritet të parashtrohet në kuvend nga kryeparlamentari, Talat Xhaferi, dhe të procedohet me votim.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
