Botë
“Brexit”, BE aprovoi fillimin e fazës së dytë të bisedimeve
15.12.2017 17:15
BE zyrtarisht dha dritën jeshile për fillim të fazës së dytë të bisedimeve për daljen e Britanisë së Madhe nga BE....

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, në rrjetin social Twitter bëri të ditur se “liderët e Bashkimit Europian ranë dakord të kalojnë në fazën e dytë të bisedimeve për Brexit, urime!”. Kjo nënkupton që bisedimet do të kalojnë për çështjet si marrëdhëniet e gjata të BE-së me Britaninë, duke përfshirë tregtinë e sigurinë.
Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, tha se është bërë progres i mjaftueshëm për të kaluar në diskutimin e një marrëdhënie të ardhshme, por paralajmëroi që ky proces do të jetë dukshëm më i vështirë.
“Negociatat ndërmjet BE-së dhe Britanisë së Madhe duhet të fillojnë sa më shpejt që është e mundur. Ky proces do të jetë më i vështirë nga faza e parë, edhe pse ajo e para ishte tejet e vështirë”,- theksoi presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker.
Theresa May mirëpriti lëvizjen, duke e quajtur si një hap të rëndësishëm të këtij rrugëtimi për të siguruar kështu një shkëputje të butë dhe të ligjshme.
“Jam e dëshpëruar me vendimin e amendamentit, por aktualisht e ashtuquajtura “faturë e divorcit” e BE-së është duke bërë progres të mirë në Shtëpinë e Parlamentit të Britanisë së Madhe”,- theksoi kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May.
Raundi tjetër i bisedimeve pritet të fillojë javën tjetër, ndërsa çështja e parë që do të diskutohet javën e ardhshme është periudha e tranzicionit pas largimit të Britanisë në mars të 2019-s. Dokumenti trefaqësh thotë se Mbretëria e Bashkuar do të mbetet nën juridiksionin e Gjykatës Europiane të Drejtësisë dhe do t’i kërkohet të lejojë lëvizjen e lirë gjatë periudhës së tranzicionit.
BELINDA KOKA-ADEMI
