Maqedoni
Kuvendi ezauroi debatin rreth prokurorit. Kryeprokurori i ri do të zgjidhet më 22 dhjetor
15.12.2017 17:33
Kuvendi ezauroi debatin rreth propozimit për emërimin e prokurorit publik të Republikës së Maqedonisë...

Deputetët e koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE nuk morën pjesë as në këtë seancë, edhe pse për fjalë ishin paraqitur dhjetëra deputetë. Votimi për prokurorin e ri do të ndodh më 22 dhjetor, para fillimit të diskutimit për buxhetin e vitit 2018.
Deputetët e shumicës parlamentare vlerësojnë se Ljubomir Joveski është kandidati i duhur nga i cili pritet që të fillojnë reformat në prokurori, pavarësimi dhe paanshmëria.
“Shkarkimi i ish-prokurorit, Marko Zvërlevski, simbolizoi pikënisjen për reformat sistemore të cilat i ka marrë përsipër kjo qeveri reformuese dhe kjo shumicë parlamentare. BDI pret nga z. Joveski që të ndërtojë prokurori të paanshme, prokurori të besueshme dhe të punojë sipas ligjit dhe jo sipas defterit”,- tha deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
“Skepticizmi, duke pas parasysh të kaluarën, është shumë i madh. Ne shpresojmë se prokurori i ri do të jetë në nivel të detyrës. Fundja, ashtu si ia japim mbështetjen, edhe mund t’ia marrim mbështetjen”,- theksoi deputeti i ASh-së, Surija Rashidi.
“Sot, në fakt, ne i vëmë rregullat se nuk do të kemi frikë nëse paraburgimi do të shfrytëzohet si dënim, ku njerëz tanë dhe të njohur me muaj janë mbajtur në paraburgim pa akuzë. Me muaj janë terrorizuar në paraburgim, pa akuzë. Me aktvendime të porositura. Me arrestime të porositura. Me akuza të porositura. Me fillimin e reformave në gjyqësi e kthejmë shtetin ligjor”,- u shpreh koordinatori i LSDM-së, Tomisllav Tuntev.
Edhe Lëvizja Besa konsideron se prokuroria ka qenë një ndër institucionet më problematike, prandaj ka votuar shkarkimin e ish-kryeprokurorit Zvërlevski.
“Ne si Lëvizje Besa mbështetëm shkarkimin e prokurorit të mëparshëm dhe gjithsesi se këtë ndryshim duam ta shohim në drejtim të reformave dhe në drejtim të një prokurorie të re e cila do të kontribuojë që shteti ligjor të jetë i njëjtë për të gjithë qytetarët”,- tha deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli.
Prokurorin publik të republikës, me propozim të qeverisë, e emërton Kuvendi republikan me mandat gjashtëvjeçar dhe mundësi për riemërtim. Ljubomir Joveski vjen nga Këshilli i Prokurorëve Publik, me përvojë shumëvjeçare si gjykatës dhe prokuror publik.
SHPËTIM NUREDINI
