Maqedoni
Ajri i ndotur në Shkup, qytetarët ankohen, kërkojnë masa të menjëhershme
15.12.2017 17:48
Pas alarmit se qyteti i Shkupit është i pari në listën botërore për nga ndotja e ajrit, qytetarët kanë filluar të marrin masa për t’u mbrojtur nga grimcat kancerogjene....

Si hap të parë intervenues qytetarët zgjedhin t’i përdorin maskat kundër ajrit të ndotur, të cilat farmacistët thonë se janë shitur me të madhe këto ditë.
“Njerëzit janë të interesuar shumë dhe kanë blerë shumë maska. Për momentin nuk kemi asnjë prej tyre, sepse i kanë blerë të gjitha, janë shumë të mira dhe mbrojnë shumë. Për këtë ajër të ndotur pa maska kisha thënë që asnjëri mos të dalë jashtë”,- tha një farmaciste.
Ajri i ndotur i pengon të gjithë, por më tepër fëmijët, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike. Ata janë të detyruar të dalin jashtë në këto ditë kritike. Ata që nuk mbajnë maska improvizojnë shallet duke mbuluar fytyrën dhe gojën. Qytetarët gjithashtu kërkojnë që Qeveria të ndërmarrë masa të menjëhershme.
“Maskë nuk mbaj por t’ua them të drejtën ajri i ndotur më pengon shumë, por duhet të ndërmerren masa, edhe maskat duhet të shiten më lirë në këtë periudhë, që të mos i harxhojmë paratë e njëjta për ilaçe”,- tha një qytetar.
“Mua më pengon shumë, unë edhe ashtu me shëndetin nuk jam mirë, por nuk vendosi maskë, e vendosi shallin në gojë për t’u mbrojtur. Ndërsa në anën tjetër e kemi patjetër të dalim jashtë të punojmë, me këtë jetojmë. Më beso nuk kam as para të trajtohem si duhet në mjek, jam me sëmundje kronike, me astmë, dhe ky ajër e rëndon gjendjen time”,- theksoi një qytetare.
“Po, po, më pengon, unë edhe ashtu e sëmurë jam, nuk përdori maskë se rri brena, jam e sëmurë”,- theksoi një qytetare.
“Kam aritmi, rrahje të shpejtuar të zemrës, dhe më rëndohet frymëmarrja. Nuk barti maskë, por e vendosi shallin te buzët dhe hunda”,- tha një qytetar.
“Ajri është shumë i ndotur, shoh shumë njerëz me maska në fytyrë për t’u mbrojt. Unë personalisht nuk vendosi maskë, sepse nuk jetoj në Shkup, vi herë pas here, por e vërej ndotjen e lartë. Nuk shihet asgjë nga mjegulla, pluhuri dhe grimcat”,- u shpreh një qytetar.
“Mjegull ka pasur më shumë përpara se sa tani që ka, s’ke çka të bëjmë, e kemi mbërri këtë kohë”,- deklaroi një qytetar.
Ndryshe, për vite me radhë Maqedonia përballet me nivele shqetësuese të ajrit të ndotur, pa një zgjidhje konkrete qoftë nga qeveria e kaluar apo kjo e tanishmja. Për ndotjen partitë në vazhdimësi janë akuzuar mes vete varësisht veprimit të tyre në pushtet apo opozitë.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
