Maqedoni

Drejtoria e të Ardhurave Publike publikoi tatimet vjetore nga qytetarët për vitin 2016

15.12.2017 18:08

Një shkupjan i punësuar në ambulancën e tij private vitin e kaluar ka marrë pagë mujore bruto prej 225,000 euro...

Një shkupjan i punësuar në ambulancën e tij private vitin e kaluar ka marrë pagë mujore bruto prej 225,000 euro, e cila në nivel vjetor ka arritur në 2.7 milion euro, njëkohësisht është edhe paga më e lartë e paguar në vend.
 
Të ardhurat më të larta vjetore për vitin e kaluar ka paraqitur një banor i Shkupit në vlerë prej 4.1 milion euro, ndërsa pensionisti më i pasur është një qytetar i Strumicës, i cili ka deklaruar të ardhurat bruto vjetore nga pensionet dhe të ardhurat shtesë në vlerë prej rreth 680,000 euro, ndërsa të ardhurat më të larta bruto nga pensioni janë raportuar nga një qytetar i Shkupit, i cili vitin e kaluar kishte rreth 30,000 euro në nivel vjetor apo 2490 euro në muaj. 
 
“440.000 qytetarë vullnetarisht kanë paraqitur bruto të ardhura vjetore në vlerë prej 173.6 miliard denarë, si dhe tatim personal në vlerë prej 10.1 miliard denarë. Përkundër tyre, 63 mijë persona fizikë nuk kanë dorëzuar paraqitje tatimore në afatin e paraqitur ligjor deri më 15 mars vitin e kaluar. Një pjesë e tyre vullnetarisht janë paraqitur në DAP dhe kanë paguar tatim personal”,- deklaroi drejtoresha e DAP-it, Sonja Llukarevska. 
 
Më së shumtë paraqitje tatimore vjetore janë dorëzuar në rajonin e Drejtorisë Rajonale – Shkup, ndërsa më pak në Tetovë. Gjoba sipas ligjit për mosparaqitje të tatimit në kohë është 100 deri në 200 euro, ndërsa nga DAP thonë se edhe një vit qytetarët do të kenë obligim që të dorëzojnë fletëparaqitje tatimore, ndërsa pas atij viti DAP do ta marrë atë përgjegjësi.
 
GAZMEND KURTISHI