Maqedoni

Zaev e Rama, me seancë të përbashkët qeveritare. Firmosën marrëveshje bashkëpunimi midis dy vendeve

15.12.2017 18:16

Seanca e përbashkët e Qeverisë së Maqedonisë me atë të Shqipërisë, që u mbajt në Pogradec...

Seanca e përbashkët e Qeverisë së Maqedonisë me atë të Shqipërisë, që u mbajt në Pogradec, ka rezultuar me firmosjen e disa marrëveshjeve të përbashkëta dhe memorandume, si: me planin e konsultimeve periodike midis ministrive të jashtme të të dy vendeve, forcimin e bashkëpunimit në fushën e kontrollit të brendshëm, bashkëpunimin ndërmjet drejtorive të arkivave të Shqipërisë dhe Institutit për Trashëgiminë Kulturore dhe Shpirtërore të shqiptarëve të Maqedonisë.
 
Dy kryeministrat kanë firmosur edhe një deklaratë të përbashkët dhe memorandum për mirëkuptim të ndërsjellë për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që çojnë në terrorizëm. Kryeministri shqiptar, Rama, tha se bashkëpunimi midis dy vendeve ngjitet në një stad të ri cilësor, ndërsa veçoi edhe ndërtimin e rrugës së Arbërit që do të lidh dy vendet.
 
“Rruga e Arbërit për të cilën nga ana jonë kemi bërë progres të konsiderueshëm është një segment ku ndajmë të njëjtin mendim me kryeministrin Zaev, se vjen si domosdoshmëri edhe zgjatimi dhe bashkimi nga ana tjetër e kufirit dhe jam shumë i kënaqur që mora nga kryeministri garancinë se pala maqedonase do të punojë për të përgatitur një studim të thelluar fizibiliteti, duke konsideruar edhe impaktin e rëndësishëm mjedisor që kryerja e këtyre punimeve e ka në anën maqedonase, por njësoj e sheh edhe ai rëndësinë e madhe të këtij segmenti për të ardhmen”,- deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Në konferencën e përbashkët, kryeministri, Zoran Zaev, edhe një herë konfirmoi përcaktimin për avancimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në më shumë fusha.
 
“Kjo mbledhje hap një kapitull të ri në marrëdhëniet bilaterale midis dy vendeve. Kjo është më shumë se një porosi në rajon. Folëm për rritjen e angazhimit për zhvillimin e infrastrukturës në kuadër të  Korridorit 8, për mundësinë e lidhjeve më të mira hekurudhore dhe energjetike. Kishim mundësi të flasim për projektin e ardhshëm, i cili do të thotë lidhje plotësuese në Korridorin 8, ndërsa kjo është hekurudha nga Kërçova deri në Linë të kufirit shqiptar, që Maqedoninë e çon në portin e Durrësit, që ka një domethënie të madhe për tregtinë”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Në seancën e përbashkët është folur edhe për zbatimin e MO-së dhe miratimin e Ligjit për gjuhën shqipe. Kryeministri Rama ka inkurajuar kryeministrin Zaev për ta përmbyllur këtë kapitull. Sa i takon çështjes së integrimeve euroatlantike, Zaev tha se dy vendet ndajnë vizionin e përbashkët në këtë drejtim ai falënderoj Qeverinë shqiptare për mbështetjen e Shqipërisë në NATO. Zaev ftoi qeverinë që vitin tjetër të mbajnë mbledhjen e dytë të përbashkët në Ohër ose në Strugë. 
 
NAIM RAMADANI